OEAK-u: Projektligji për pagat rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore
Ruajtja e stabilitetit makroekonomik përmes një qasje të kujdesshme në shpenzimin e parasë publike ka rëndësi të madhe në zhvillimin ekonomik afatgjatë të Kosovës.
Kështu ka vlerësuar Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) nëpërmjet një komunikate për medie. Në këtë aspekt, kjo odë ka theksuar se institucionet e vendit kanë për obligim të sigurojnë që ky stabilitet nuk rrezikohet në asnjë rrethanë.
“Krahas qëndrimeve të shprehura së fundmi mbi shpenzimin e pakontrolluar të parasë publike, Oda Amerikane shpreh shqetësimet e saja edhe mbi Projektligjin për pagat, duke vlerësuar se i njëjti rrezikon qëndrueshmërinë buxhetore si dhe rrit edhe më shumë hendekun e pagesave ndërmjet sektorit publik dhe atij privat”, është thënë në komunikatën e OEAK.
Sipas kësaj ode, miratimi i këtij projektligji në formën aktuale, do të kishte implikime të konsiderueshme dhe do rriste deficitin buxhetor në vend.
“Rritja e pjesëmarrjes së pagave në buxhetin e vendit do të ndodhte në kurriz të rënies së investimeve kapitale që janë të një rëndësie shumë të madhe në aspekt të fuqizimit së sektorit privat dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik. Për më tepër, rritja e deficitit padyshim se do të çonte në rritjen e barrës tatimore për bizneset ekzistuese në vend, duke marrë parasysh nevojën për mbledhjen e më shumë të hyrave. Krahas ndikimit buxhetor, Projektligji mbi pagat do të ndikonte negativisht edhe mbi tregun e punës në vend. Sektori privat nuk mund të ndjekë ritmin e institucioneve në rritjen e pagave, meqë pagat në këtë sektor përcaktohen nga forcat e tregut dhe produktiviteti i fuqisë punëtore. Rritja e hendekut të pagesave do të nxiste edhe më shumë fuqinë punëtore që të konsiderojnë sektorin publik si punëdhënësin e preferuar”, është thënë në këtë komunikatë.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) i ka kërkon Qeverisë së Kosovës të tregohet e kujdesshme me nivelet e propozuara të pagave në Projektligjin mbi pagat, gjithnjë duke u bazuar edhe në rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Përderisa reformimi i administratës publike është një proces tejet i rëndësishëm dhe i pashmangshëm, ky reformim duhet të udhëhiqet nga nevoja për të rritur produktivitetin e punëtorëve në sektor dhe ofrimin e shërbimeve më të mira publike”, është thënë në komunikatën e OEAK-ut.
/Epoka e re/