OEAK: Të konsiderohet ndikimi i dispozitave të ligjit të punës në sektorin privat
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), organizoi tryezë rreth projektligjit të punës ku u diskutuan çështje të ndryshme brenda projektligjit të cilat ndikojnë në tregun e punës dhe operimet e bizneseve.
Kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë, dhe Mirëqenie Sociale, Besa Baftiu, ka deklaruar se në mënyrë që të adresohen çështjet të cilat ndikojnë në tregun e punës që dalin nga Projektligji i Punës duhet të shqyrtohen edhe komentet e sektorit privat i cili ndikon direkt në operimet e tyre. Në krahasim me projektligjin paraprak, ajo tha se ky “ligj është më i avancuar në rregullimin e tregut të punës, duke përfshirë edhe fusha të tjera si pushimi i lehonisë, në bazë të legislacionit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se në këtë projektligj janë përfshirë 70 direktiva të BE-së. Ajo shtoi se mirëpresin komentet nga Oda Amerikane dhe bizneset anëtare të saj të cilat do të ndihmojnë në rishikimin dhe plotësimin e ligjit në mënyrë të duhur”.
Drejtori i Burimeve Njerëzore dhe Administratës në Meridian Corporation, Abdylkerim Ratkoceri, ka deklaruar se krahasuar me projektligjin paraprak, nuk vërejen ndryshime të mëdha, duke përmendur disa aspekte të projektligjit si shkëputja e kontratës, pushimi mjekësor, dhe pushimi i lehonisë. Ratkoceri tha se nevojitet rishikimi i pushimit të lehonisë në ligj pasi që aktualisht përbënë barrë ndaj bizneseve dhe ndikon në punësim më të ulë të grave në këtë sektor, duke shtuar se konsiderimi i komenteve të sektorit privat rezulton në qëndrueshmëri dhe barazi në tregun e punës.
Më tutje, bizneset adresuan aspekte të caktuara nga projektligji i punës me ndikim në operimet e tyre, duke kërkuar që ligji të trajtojë barabartë punëmarrësit dhe punëdhënësit.
/Epoka e Re/