OEAK-u kërkon nga qeveria t’i ndalë ndërhyrjeve politike dhe adresojë çështjet e ngritura nga DASh-i

18 korrik 2024 | 13:12

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka shprehur vlerësim pozitiv për Ligjin për investimet e qëndrueshme, por ka kërkuar përsëri të mos ketë ndërhyrje nga pushteti dhe të kihet parasysh Deklarata e Klimës së Investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën.

Në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane janë përmendur edhe sulmet ndaj Gjykatës Komerciale, por edhe masat ndëshkimore ndaj disa përmbaruesve privat.

“Megjithatë, ndërhyrjet politike në ekonomi, politikat tekanjoze ekonomike dhe dialogu i kufizuar publiko-privat lënë në hije, përpjekjet e kufizuara reformuese, ashtu siç ceket edhe në Deklaratën e Klimës së Investimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën. Prandaj, Oda Amerikane përsërit thirrjen e saj për shmangie të ndërhyrjeve arbitrare të pushtetit, me qëllim të respektimit të parimeve të sundimit të ligjit dhe promovimit të lirive ekonomike, e kjo duhet të përfshijë edhe shmangien nga sulmet verbale ndaj institucioneve të drejtësisë. Sulmet si këto, të bëra edhe ndaj Gjykatës Komerciale, e themeluar dhe fuqizuar edhe më ndihmën e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pashmangshëm ndikojnë në aftësinë e institucioneve të drejtësisë për të kryer punën e tyre në mënyrë të pavarur dhe objektive. Veprimet e tilla por edhe masat ndëshkimore ndaj disa përmbaruesve privatë, minojnë përpjekjet e gjithëmbarshme për rritjen e sigurisë juridike, e rrjedhimisht edhe tërheqjen e investimeve të huaja në asete produktive”, është thënë në reagimin e OEAK-ut.

Në këtë reagim janë përmendur edhe masat për importimin e produkteve nga Serbia.

“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj edhe me vazhdimin e masave që ndalojnë importet e produkteve finale nga Serbia, për aq kohë sa lëndët e para dhe materialet gjysmë të gatshme lejohen të importohen pa pengesë, në kundërshtim me frymën e promovimit të lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe në kundërshtim me zotimet që Kosova ka pranuar në rrugën e saj integruese në Bashkimin Evropian. Ashtu siç ceket në Deklaratën e Klimës së Investimeve të Departamentit të Shtetit, ndalesa e importit ka ndikuar negativisht në kompanitë që janë në pronësi të huaj dhe ashtu siç është thënë në mënyrë të përsëritur nga Oda Amerikane se ndalesa e tillë godet direkt interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe shteteve të tjera partnere brenda Bashkimit Evropian. Barrierat e tilla çrregullojnë zinxhirët e furnizimit, trazojnë tregjet dhe kanë ndikim direkt tek konsumatori fundor”, është thënë në këtë reagim.

Më tutje, OEAK-u ka theksuar edhe shqetësimet “lidhur me tentimet e revokimit arbitrar të certifikatave të biznesit të disa ndërmarrjeve, janë serioze dhe si të tilla edhe dëshmi të lehtësisë së të bërit biznes në vend”.

“Oda Amerikane thekson edhe renditjen shqetësuese të Kosovës në Indeksin e Lirive Ekonomike të organizatës Heritage Foundation në tri vitet e fundit, si vend me liri mesatare ekonomike, respektivisht i 37-ti në mesin e 44 shteteve të Evropës, me 60.6 pikë në vitin 2024 kundrejt 67.9 në vitin 2017. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të adresojë me prioritet shqetësimet e sipërcekura që burojnë nga Deklarata e Klimës së Investimeve e Departamentit të Shtetit Amerikan, përfshirë edhe çështjet strukturore të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe produktivitetin, ndërsa dialogu dinamik dhe i sinqertë me sektorin privat është imperativ në arritjen e këtyre synimeve”, është thënë në reagimin e OEAK-ut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur pak pas mesnate…