OEAK-u: Pandemia krijoi pasiguri ekonomike tek bizneset në pronësi të grave
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka publikuar të mekurën studimin mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në ndërmarrjet në pronësi të grave. Sipas këtij studimi, pandemia ka prodhuar pasiguri ekonomike, veçanërisht tek bizneset që janë në pronësi të grave në Kosovë. Ky studim ka vënë në pah se sfida më e madhe për gratë pronare të bizneseve ka qenë mirëqenia ekonomike me 40.94 për qind, e pasuar nga nevoja për përkujdesje të shtuar ndaj familjes, me 28.19 për qind
Pasiguria ekonomike e krijuar nga pandemia Covid-19 ka prodhuar rezultate negative për të gjitha bizneset dhe industritë, me theks të veçantë tek grupet më të ndjeshme, siç janë bizneset në pronësi të grave. Kështu është thënë të mërkurën gjatë publikimit të studimit: “Ndikimi i COVID-19 në ndërmarrjet në pronësi të grave në Kosovë”, i cili është realizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK).
Autorja e studimit, Ardita Hajra, zyrtare e politikave në Odën Ekonomike Amerikane, e cila ka bërë edhe prezantimin e të gjeturave kryesore të studimit, ka thënë se i njëjti studim synon të ofrojë njohuri mbi trendet aktuale, format dhe nivelin e dëmeve të shkaktuara nga pandemia, si dhe identifikimin e problemeve kryesore me të cilat po përballen gratë gjatë kësaj periudhe mjaft të vështirë. Sipas këtij studimi, sfida më e madhe për gratë pronare ka qenë mirëqenia ekonomike me 40.94 për qind, e pasuar nga nevoja për përkujdesje të shtuar ndaj familjes, me 28.19 për qind. Siç ka zbuluar ky studim, një e gjetur tejet shqetësuese është edhe shifra e bizneseve të mbyllura plotësisht gjatë fazës së izolimit, me 65 për qind, ndërsa të dhënat tregojnë se ka pasur një rënie të lartë të përqindjes në shitje, me rreth 90 për qind.
Amadamentimi i Ligjit të punës mbetet ende thelbësorë për nxitjen e punësimit të grave, ku studimi ka gjetur se rreth 90 për qind e grave të anketuara janë optimiste se ndryshimi i këtij ligji do të nxiste rritjen e numrit të grave të punësuara. Edhe pse gratë përballen me sfida dhe pengesa specifike dhe ato nënpërfaqësohen në pozita udhëheqëse, 35.71 për qind e tyre besojnë se përmirësimi i ambientit të të bërit biznes në përgjithësi do të rriste drejtpërdrejtë pjesëmarrjen e grave në treg, pasi probleme të ndryshme në biznes janë të ngjashme si për gratë ashtu edhe për burrat. Siç kanë theksuar të gjeturat e studimit të OEAK-ut, grantet e veçanta nga qeveria me 74.81 për qind do të ishin një masë ideale për rimëkëmbjen e bizneseve të grave.
Gjatë tryezës së diskutimit për të njëjtën temë, Mrika Gashi, drejtoreshë ekzekutive në AZHR, njëkohësisht anëtare e Bordit të guvernatorëve të Odës Amerikane, ka theksuar se duhet të rritet ndërgjegjësimi si dhe qasja e grave në informata për aplikime në grante, sidomos për gratë në zonat rurale të cilat kanë qasje më të limituara ne resurset e nevojshme për zhvillimin e bizneseve të tyre. Gashi ka potencuar se mbështetja përmes fondeve të ofruara nga Qeveria e Kosovës, sado e dobishme, fatkeqësisht është e pamjaftueshme. Më tutje, ajo ka bërë thirrje për organizimin e sesioneve informuese dhe trajnimeve profesionale, promovimin e grave në biznes si dhe fuqizimin e pozitës së tyre në tregun vendor, rajonal dhe atë ndërkombëtar.
Kurse Besa Ilazi, specialiste e menaxhimit të projektit në zyrën e USAID për rritje ekonomike, ka theksuar se në Kosovë, pjesëmarrja e grave në fuqinë punëtore është mjaft e ulët, ndërsa fuqizimi ekonomik i grave është thelbësore për zhvillimin e vendit. Ilazi ka informuar pjesëmarrësit për strategjinë e USAID-it për pesë vitet e ardhshme, e cila fokus kryesor ka zhvillimin gjithëpërfshirës, pa dallime gjinore, etnike apo në moshë. Sipas saj, kjo strategji synon të sigurojë përfshirje të barabartë në ekonomi, ndërsa në kuadër të saj, gratë ndërmarrëse do të ndihmohen përmes asistencës teknike. Po ashtu, Ilazi ka përmendur edhe një projekt tjetër i cili synon të rris prezencën e grave në tregun ndërkombëtarë, me fokus në eksport, përkatësisht në sektorin e teknologjisë informative, atë të përpunimit të drurit dhe të ushqimit.