OECD: Duhet të punohet më shumë për rritjen ekonomike në Kosovë
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe me mbështetje nga Komisioni Evropian, kanë organizuar konferencën me temë “Konkurrueshmëria në Evropën Juglindore: Pikëpamja për Politikat 2018”, ku edhe kanë lansuar raportin hulumtues.
Arbëreshë Krasniqi, ushtruese e detyrës së ministres në MTI, ka deklaruar se do të angazhohen në maksimum për t’i arritur rekomandimet e OCED-it nga ky raport.
Ajo u zotua se MTI-ja, do të vazhdojë me punën në ngritjen e konkurrueshmërisë. “Përmes këtij raporti mund të vlerësojmë përparimin e reformave politike pro konkurruese në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, siç janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Serbia dhe Mali i zi. Do të angazhohemi në maksimum për implementimin e rekomandimeve sidomos të atyre që kemi ngecje dhe me shpresë se në publikimin e radhës do të jemi në nivel më të lartë se sa në këtë ditë”, ka deklaruar Krasniqi.
Riccardo Serri, udhëheqës i Sektorit Publik, Ekonomik dhe për Integrime Evropiane në Zyrën e BE-së, tregoi se BE ka dhënë 10.7 milionë euro për investime në fushën e konkurrueshmërisë. Ai tha se konkurrenca është element shumë i rëndësishëm për çdo shtet që mendon të bëhet anëtar i BE-së. Ai ka thënë se për këtë arsye edhe e kanë financuar këtë projekt. “Është shumë e rëndësishme që Bashkimi Evropian është këtu, sepse ne kemi kontribuar, por gjithashtu, t’iu shpjegoj arsyet kryesore të saj, pse është kaq e rëndësishme çështja e konkurrencës për çdo vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian një ditë, mendoj se ky është një element thelbësor dhe arsyeja vendimtare që na solli drejt financimit të këtij projekti për të krijuar bashkëpunim shumë të mirë me OCD, që sot u paraqit nga të gjithë ne në këtë tryezë”, ka thënë Serri.
Kurse, Marzena Kisilewska, udhëheqëse e Divizionit të OECD-së për Evropën Juglindore, ka thënë se ky raport është fryt i një pune afatgjatë. Ajo ka deklaruar se ky raport është një nga vlerësimet më të mëdha që ka bërë OCDE-ja për ndonjë shtet. Sipas saj, duhet më shumë përpjekje për ngritjen ekonomike, dhe për këtë, sipas saj duhet të rritet edhe bashkëpunimi mes ministrive. “Perspektiva e konkurrueshmërisë është një tregim i sfidave dhe mënyra se si do të trajtohen këto me sukses. Mundësi të caktuara në raste të caktuara janë anashkaluar, por të gjitha këto janë identifikuar. Pra, është një dokument i rëndësisë së procesit dhe në një mënyrë e hap një kapitull të ri, një kapitull të cilin ju duhet ta shkruani”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Jakob Fexer, menaxher i projektit nga Divizioni i OECD-së, gjatë këtij hulumtimi kanë hasur koordinim jo të mirë në dizajnimin e politikave në Kosovë. Sa i përket politikave tatimore, ai tha se të ardhurat nga tatimet janë rritur. Ai ka thënë se një pengesë tjetër që kanë hasur gjatë këtij hulumtimi, është dominimi i ndërmarrjeve e vogla nga ato të mëdha.
Ky raport paraqet sfidat kryesore ekonomike dhe pengesat strukturore të konkurrueshmërisë për shtetet e Evropës Juglindore dhe sipas këtij raportim zbatimi i dobët dhe monitorimi i papërshtatshëm, vazhdojnë të jenë pengesë për reformat strukturore në këto shtete.