OEK gati për Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “PRISHTINA 2024”
Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se prej 29-31 maj do të mbahet Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “PRISHTINA 2024”.
Oda Ekonomike e Kosovës po vazhdon organizimin tradicional të Panairit të Përgjithshëm Ndërkombëtar. Këtë vit, për edicionin e 23-të do të bëjë bashkë një gamë të gjerë ekspozuesish vendor, rajonal dhe ndërkombëtar duke synuar mbështetjen dhe zhvillimin e çdo sektori të ekonomisë.
Në Panairi “PRISHTINA 2024” ndërmarrjet do të kenë mundësinë të promovojnë produktet dhe shërbimet e tyre, si dhe të njoftohen me mundësitë e zgjerimit, depërtimit dhe rritjes së pjesëmarrjes në tregjet e huaja.
Oda Ekonomike e Kosovës ka ftuar të gjitha ndërmarrjet e interesuara që të marrin pjesë në këtë organizim i cili do të mbahet prej 28-31 maj, në “Prishtina Business Center”, në Zonën Industriale në Çagllavicë.
“Pjesëmarrja juaj do të ju mundësoj të jeni pjesë e manifestimit më të madh ekonomik që organizohet në Kosovë”, kanë shkruar në njoftimin për media.
Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, ky panair është mundësi ideale e avancimit të proceseve ekonomike, përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ndërkombëtarizimin e ekonomisë kosovare.
Në panair do të prezantohen kompani me histori e traditë shumëvjeçare, çdo njëra prej tyre me synim të promovimit të vendit dhe produkteve të tyre. Por do të ketë edhe ndërmarrje të reja. Pjesëmarrëse në panair janë edhe kompani nga shtetet e huaja si: Gjermania, Austria, Belgjika, Çekia, Polonia, Finlanda dhe të tjera.
Ky panair sipas Odës Ekonomike ka rëndësi jo vetëm për vendin , por edhe për rajonin e më gjerë dhe mbi të gjitha është hap i fortësimit të partneritetit ndër-rajonal si dhe përmirëson imazhin dhe perceptimin rreth Kosovës.
Sipas OEK-së, Panairi i Përgjithshëm Ndërkombëtar “PRISHTINA 2024”, është një mundësi e shkëlqyeshme që bizneset lokale dhe ato ndërkombëtare t’i shkëmbejnë idetë dhe të gjejnë mundësi të reja për rritjen dhe zhvillimin e tyre. Kanë bërë të ditur se për informata shtesë dhe rezervimin e hapësirës për ekspozim, të interesuarit mund t’i kontaktojnë përmes e-mail.