OEK-u: Gjykata komerciale rrit sigurinë juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka mirëpritur iniciativën Ministrisë së Drejtësisë, të përkrahur nga USAID-i, për përgatitjen e bazës ligjore që mundëson krijimin e Gjykatës Komerciale.
“Gjykata Komerciale mund të jetë një nga shtyllat kryesore të garantimit të sigurisë juridike për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Besojmë se krijimi i kësaj Gjykate do të adresojë brengën serioze të bizneseve vendore dhe investitorëve të huaj që vije sot nga mungesa e sigurisë juridike për shkak të mos funksionimit efikas të sistemit gjyqësor”, ka vlerësuar OEK-u.
Sipas OEK-ut, të gjitha rekomandimet e komunitetit të biznesit në vend dhe të investitorëve potencial e favorizojnë krijimin e Gjykatës Komerciale, e cila mund të garantojë mjete efektive juridike për trajtimin e të gjitha lëndëve nga fusha e drejtësisë komerciale.
“Krijimi i kësaj gjykate, sipas pritjeve tona, do t’i shërbejë komunitetit të biznesit vendor dhe investitorëve të huaj si një adresë e vetme, efikase dhe e specializuar për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre nga aktivitetet e tyre biznesore. Kështu, komuniteti i biznesit në Kosovë pret që Gjykata Komerciale do të jetë një ‘One-Stop Shop’ për trajtimin e te gjitha rasteve komerciale nga profesionistët që do të trajnohen dhe zhvillohen profesionalisht, konform praktikave me të mira ndërkombëtare të së drejtësisë komerciale”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
Në këtë drejtim, OEK-u pret që kjo gjykatë të ketë juridiksion të qartë dhe të evitojë rastet e duplifikimit të kompetencave dhe nevojat e fragmetimit të rasteve në disa dhoma e në disa gjykata për të njëjtën çështje. “Presim që krahas krijimit dhe fuqizimit të kësaj gjykate, të investohet dhe ngritët vëmendja e publikut edhe për përdorimin e mjeteve të tjera alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, të cilat edhe më tepër do të promovonin formalizimin e ekonomisë dhe zgjidhjen e të gjitha sfidave biznesore përmes rrugëve të mjeteve juridike në dispozicion. OEK-u do të avokojë fuqishëm krijimin e kësaj gjykate dhe do të ofrojë ekspertizën e vet në të gjitha fazat e procesit të krijimit të kësaj gjykate”, është thënë në komunikatën e OEK-ut.
/Epoka e re/