Konkurrenca jolojale, top barrierë e të bërit biznes
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka prezantuar të martën rezultatet e studimit “Bottleneck”, me qëllim identifikimin e barrierave që pengojnë të bërit biznes në Kosovë.
Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ajo çka shihet nga të gjeturat e studimit është se mungesa e funksionimit të ligjit është emëruesi i përbashkët, që sjell problemet në aktivitetin ekonomik në vend.
Sipas tij, fokusimi i politikës kosovare në demarkacion, asociacion dhe liberalizim e kanë ngulfatur zhvillimin ekonomik.
“Të gjeturat janë produkt i dialogut mes OEK-ut dhe bizneseve. Ne kohën kur agjenda politike është e ngarkuar mbetet pak hapësirë për aktivitete ekonomike. Është fjala demarkacion, asociacion dhe termi liberalizim. Kjo e ka ngulfatur ekonominë”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se ajo çka shihet nga të gjeturat e studimit është se mungesa e funksionimit të ligjit është emëruesi i përbashkët “nëse s’ka forcim do të jetë e pamundur te eliminohet ekonomia joformale”.
Ai ka thënë se integrimi ekonomik është parakusht për integrimin politik.
Përfaqësuesja e Departamentit të Analizave në OEK, Olivera Ceni-Bardiqi, ka prezantuar të gjeturat e studimit.
Sipas saj, 61 për qind e bizneseve e shohin si top barrierë konkurrencën jolojale nga ekonomia e hirtë. “Kostoja e energjisë elektrike 51 për qind, kamatat e larta dhe kostot shtesë për transaksionet bankare 38 për qind, mungesa e parasë së gatshme 32.5 për qind dhe mungesa e fuqisë punëtore e shkathtë 31.6 për qind”, ka thënë ajo.
Për 37,8 për qind të bizneseve joqëndrueshmëria politike po ashtu zë vend në mesin e barrierave, pasuar nga korrupsioni 28.5 për qind, që në vitin 2017 u cilësua si njëra nga barrierat kryesore për bizneset e Kosovës.