OEK: Normat e larta të kamatave ndër sfidat kryesore në sektorin e ndërtimit

04 prill 2018 | 13:22

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, normat e larta të ka kamatave, hiperndërtimi, mos pagesa më kohë, mungesa e parasë së gatshme, si dhe vështirësitë e pranimit teknik, janë ndër barrierat kryesore me të cilat përballët sektori i ndërtimit. Kështu rezultoi në raportin e Odës Ekonomike të Kosovës, të identifikuara në kuadër të indeksit të klimës së biznesit për tremujorin e katërt (TM4), të vitit 2017.

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka prezantuar të mërkurën rezultatet e studimit rreth barrierave dhe mundësive të sektorit të ndërtimit në vend, të identifikuara në kuadër të indeksit të klimës së biznesit për tremujorin e katërt (TM4), të vitit 2017.

Kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, ka thënë se ky studim është projektuar për të identifikuar dhe artikuluar pengesat e të bërit biznes dhe parashikimin e trendeve të ekonomisë së vendit në periudhë tre mujore dhe periudhë ciklike gjashtë mujore.

Gërxhaliu ka thënë se sektori i ndërtimit vazhdon të ballafaqohet me barriera të shumta. “Pjesa dërmuese e këtij sektori është mungesa e stafit të kualifikuar, konsumatorët nuk paguajnë me kohë, kostoja e punës, mungesa e porosive. Një dukuri e cila vështirëson qasjen në financa është mospranimi teknik i objekteve dhe pjesa dërmuese janë me financime vetanake. Ndërmarrjet nuk investojnë në trajnime. 67 për qind e tyre thonë se punëtorët nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e asnjë trajnimi. Ajo çka është shqetësuese është qe partneriteti me shkollat profesionale është shumë i dobët në këtë sektorë”, është shprehur ai.

I pyetur se sa korrespodonë çmimi i lartë i ndërtesave në Prishtinë me standardin ekonomik në Kosovë, Gërxhaliu është përgjigjur se  kërkesa dhe oferta në këtë rast janë determinuese dhe sipas tij,  ka kërkesë të lartë nga bashkatdhetarët që investojnë në patundshmëri gjë që ndikon në mos ulje të çmimit të banesave.

Sipas tij, sektori i ndërtimit në vendin tonë rezulton të jetë mjaft optimist dhe aktiviteti biznesor i tyre është në rritje. “90 % e bizneseve të ndërtimit, vlerësuan gjendjen e mirë në këtë sektorë dhe vetëm 10 %, si gjendje të pafavorshme. Në pyetjen se sa % e të punësuarve posedojnë diplomë, 40 % e tyre deklaruan se punëtorët e tyre kanë diploma”, ka thënë ai.

Olivera Ceni, nga OEK prezantoi të gjeturat e raportit. Ajo ka thënë se 90 për qind e kompanive të ndërtimit deklaruan se aktiviteti i tyre është i mirë, por që barrierë kanë mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe normat e larta të interesit. “Gjendja e biznesit vlerësohet të jetë e kënaqshme. 90 për qind e tyre deklaruan se aktiviteti i tyre është i mirë. 52 për qind të tyre presin rritje të numrit të punësuarve, 65 të tyre presin që situata e biznesit të përmirësohet ndërsa 7 për qind e tyre presin që të përkeqësohet. Sipas kompanive ndërtimore 34.5 për qind e tyre thonë që numri i porosive janë shumë të vogla. Rreth 21 për qind e tyre presin rritje të çmimet të shitjes në tremujorin e parë të vitit 2018”, është shprehur ajo.

Sipas saj, barrierë kryesore e kompanive të ndërtimit mbetet mungesa e punëtorëve të kualifikuar, kurse, normat e larta të interesit vazhdon të mbetet ndër 3 top barrierat në këtë sektor. Valon Vataj, nga KAWA grup, ka thënë se sfidat në sektorin e ndërtimit janë të mëdha dhe pothuajse të njëjta në të gjithë rajonin. Sipas tij, siguria e punëtorëve në vendin e punës është e ulët, prandaj edhe do ta mbikëqyrin atë.

“Ne kemi menduar që të marrim iniciativë për të mbikëqyrë sigurinë e punëtorëve në vendin e punës. Ndërtimi është një sektor i fuqishëm për zhvillimin ekonomik në vend. Mungesa e përkrahjes institucionale na bënë që ne të hasim në barriera. Pothuajse 90 për qind e kompanive të cilat punojnë me institucionet publike janë në krizë”, ka thënë Vataj.

I pyetur se pse çmimi i ndërtimeve të vjetra është dukshëm më i lartë se i ndërtimeve të reja, Vataj ka thënë se për shkak  të ekspansionit të fushës së ndërtimit që nga paslufta, shpesh nuk janë përfillura kriteret dhe kualitete e kërkuar. Kurse, sa i përket çmimit mesatar për metër katror, Vataj  bëri të ditur se çmimi mesatar për metër katror  i ndërtesave të reja në Prishtinë është 800 euro.

(A.MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kolegji “Mehmet Akif” përmes një njoftimi për medie ka mirëpritur…