OEK: Përpunuesit e pemëve dhe perimeve po hasin barriera të shumta
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Shoqata e Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve kanë prezantuar të gjeturat e studimeve mbi industrinë e ushqimit, respektivisht sektorin e pemëve dhe perimeve në Kosovë.
Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi në hapje të prezantimit, ka thënë se që nga studimet është vërejtur që kompanitë kanë potencial për eksport, por që ekzistojnë një numër i barrierave të cilat duhet adresuar.
“Konkurrueshmëria e çmimeve, qasja në rrjetet e shitjes, qasja në financa dhe sasitë e kufizuara janë disa nga barrierat. 57 për qind kërkojnë më shumë njohuri për tregjet dhe 40 për qind për rregullat specifike doganore të Bashkimit Evropian, financimin e eksportit me 33 për qind dhe planin e biznesit, eksportit, marketingut me 32 për qind”, u shpreh Rukiqi.
Drejtoresha në Departamentin për Analiza Ekonomike dhe Politika në OEK, Olivera Ceni-Bardiqi, ka thënë se studimi ka përfshirë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me një mostër prej 144 kompanive.
“Mbi të gjeturat për Kosovë, sektori i pemëve dhe perimeve në vend kryesisht punëson fuqi punëtore në mes 1 dhe 5 punëtorë me 49 për qind dhe ka qarkullim mes 10 mijë dhe 49.999 euro me 42 për qind. Tutje, qasja në financa në nivel rajonal vazhdon të mbetet barrierë për bizneset e këtij sektori. Bizneset e Malit të Zi kanë raportuar në përqindje më të lartë barrierën në fjalë me 60 për qind, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 47 për qind, Bosnja dhe Hercegovina me 38 për qind, Serbia me 36 për qind, Kosova me 26 për qind dhe Shqipëria me 7 për qind. Përderisa vendet e rajonit nuk i konsiderojnë problematike certifikimet e sigurisë së ushqimit, Kosova ka raportuar atë ndër problemet kryesore për rreth 37 për qind të kompanive”, u shpreh ajo.
Hartim Gashi, udhëheqës i Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve, në prezantim të të gjeturave rreth ndikimit të Pakos Fiskale 2.0, ka deklaruar se në përgjithësi kjo ka ndikuar pozitivisht në fuqizimin e sektorit, mirëpo ka pasur disa vështirësi të cilat janë pengesa për zhvillim të mëtejmë.
“Lirim nga TVSH-ja i lëndës së parë të blerë nga qendra grumbulluese dhe kompanitë e tjera brenda Kosovës, Pako Fiskale 2.0 diskriminuese në këtë drejtim, pasi që TVSH-ja e lëndës së parë është zero për qind nga importi, ndërsa 8 për qind nga qendra grumbulluese”, përfundoi Gashi.