OEK-u apelon tek eksportuesit në Zvicër dhe Norvegji që të regjistrohen në sistem të Doganës
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), fton të gjitha kompanitë kosovare që eksportojnë mallra me origjinë të Kosovës në Zvicër dhe Norvegji dhe dëshirojnë të përfitojnë nga skema e sistemit gjeneral të preferencave, të plotësojnë formularin i cili gjendet si informatë në ueb faqen e Doganës së Kosovës dhe të njëjtën të paraqesin pranë sektorit të Origjinës, në zyrat e Doganës së Kosovës në Prishtinë në mënyrë që të regjistrohen në sistem.
“Ky sistem u mundëson eksportuesve kosovar që eksportojnë mallra në Zvicër dhe Norvegji që të regjistrohen nga Dogana e Kosovës në këtë sistem dhe pastaj të kenë mundësi që për mallrat që i prodhojnë dhe eksportojnë në këto vende dy të lëshojnë vetë deklaratë faturë mbi origjinën pa pasur nevojë të pajisen me FORMA A”, thuhet në ftësën e OEK–ut, dërguar medieve.
Sipas OEK-ut, afati i fundit për aplikim është 30 qershor ndërsa pas kësaj date kompanitë kosovare eksportuese në këto vende, nëse nuk janë të regjistruara në sistem do t’i nënshtrohen taksës doganore nga Zvicra dhe Norvegjia. “Deri më tani një numër shumë i vogël i kompanive janë regjistruar, mirëpo mundësitë për zgjerim të numrit dhe përfitim janë shumë më të mëdha”, thuhet në dërgesën elektronike të OEK-ut.