OEK-u dënon sulmin ndaj Mustafës: Ky sulm mund të ketë efekt negativ në ambientin biznesor
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësimin për sulmin që i është bërë kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafës nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Sipas OEK-ut, sulmi ndaj kryeshefit të ndërmarrjes më të madhe në vend, është sulm që prish imazhin e Kosovës në aspektin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe është sulm direkt ndaj biznesit vendor.
“Oda Ekonomike e Kosovës është shumë e shqetësuar nga pamjet që i kemi parë ku është sulmuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës, kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa. Një akt i tillë ka efekt të shumtë që do të mund të ndikon në imazhin e biznesit kosovar. Ky sulm e dëmton moralin dhe etikën e një individi, e diskrediton familjen një individi etj. Me këtë sulm del konkludimi se bizneset e Kosovës, kush duhet t’i mbrojë”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike e Kosovës (OEK).
Oda Ekonomike e Kosovës, shpreh indinjatën për këtë sulm. “Nga ky sulm mund të ketë efekt negativ në imazhin e Kosovës, në ambientin biznesor. Kush do të mund të vije në Kosovë për investuar ku nuk ka siguri dhe mund të sulmohet në rrugë”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.
Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që të zbardhin sa më shpejt këtë sulm, pasi që ky sulm është një sulm i drejtuar direkt ndaj ekonomisë së Kosovës.
“Me pamjet që shihet duke u sulmuar Agron Mustafës nga ana e zyrtarëve të Policisë së Kosovës, po dëmtohet shumë imazhi i Kosovës për të pasur më shumë investime dhe zhvillim të Kosovës. Është koha të merren vendime dhe të kemi sundim të rendit dhe të ligjit”, thuhet në komunikatën e OEK-ut.