OEK-u dhe EYE synojnë thellimin e bashkëpunimit mes shkollave profesionale
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Enhancing Youth Employment (EYE), kanë organizuar të martën takimin e parë me biznese pas marrëveshjes së bashkëpunimit që është nënshkruar nga të dyja palët.
Në këtë takim ishin prezentë kompani nga sektorë të ndryshëm, të cilat kishin mundësi të njoftohen nga afër me qëllimet dhe misionin e projektit EYE, veçanërisht për projektin mbi arsimin dual si dhe të adresojnë problemet të cilat hasin në gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar konform nevojave të tregut.
“Një ndër barrierat kryesore të sektorit privat në Kosovë është mungesa e aftësimit profesional të fuqisë punëtore, prandaj qëllimi kryesor i projektit EYE në bashkëpunim me OEK është ta thellojë bashkëpunimin në mes të shkollave profesionale dhe sektorit privat që të ketë ndikim në rritjen e punësimit dhe ngritjen e aftësimit të duhur profesional në funksion të zhvillimit ekonomik në vendin tonë”, është bërë me dije në komunikatën për medie të Odës Ekonomike të Kosovës.
/Epoka e re/