OEK-u: Ekspertiza dhe standardet evropiane të jenë udhërrëfyes për rregullimin e çështjes së homologimit
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se është duke përcjellë me vëmendje deklaratat dhe debatet e ditëve të fundit në lidhje çështjen e kontrollit të automjeteve rastin e importit në Republikën e Kosovës.
“Duke marrë parasysh faktin qe shumë nga anëtaret e Odës ndikohen nga çdo akt ligjor qe ka efekte ekonomike, ne jemi jashtëzakonisht të interesuar që aktet e tilla të jenë me efekte pozitive për komunitetin e biznesit, duke respektuar standardet evropiane dhe parimet e ekonomisë së tregut. Raportet nga instancat e ndryshme të Bashkimit Evropian, përfshirë Raportin e Progresit dhe ekspertizën nga ekspertet e TAIEX-it duhet të jenë udhërrëfyes, për vendimmarrje në çdo segment që rregullon tregun e brendshëm”, është thënë në reagimin e OEK-ut.
Oda Ekonomike e Kosovës ka theksuar se është e gatshme të lehtësoje një proces rregullativ në këtë fushë, me përfshirje të gjitha palëve të interesit, konform standardeve evropiane dhe në harmoni të plotë me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
/Epoka e re/