OEK-u: Izolimin politik dhe ekonomik janë duke e paguar qytetarët dhe bizneset
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar lidhur me neglizhencën e agjendës ekonomike që po ndodh në vendin tonë, karshi vendeve të rajonit dhe më gjerë.
Sipas OEK-ut, në strategjinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian për vitin 2025, Kosova pothuajse nuk është pjesë e një procesi të dëshiruar dhe shumë të pritur nga qytetarët e saj. “Mungesa e liberalizimit të vizave është një barrierë shtesë që pamundëson që kosovarët të jenë të barabartë në rajon dhe në Evropë”, është thënë në reagimin e OEK-ut.
OEK-u vlerëson se agjenda politike në Kosovë është mjaft dinamike, por jo për të zgjidhur problemet e grumbulluara nga e kaluara.
“Në Kosovë marrëveshjet ndërkombëtare i kemi shndërruar në debat ndërpartiak për të luftuar pozita me opozitën me qëllim të ardhjes në pushtet, përderisa dhuna në parlament dhe një gjuhë jo e dëshiruar parlamentare është zyrtarizuar ose institucionalizuar. Kosova politikisht dhe ekonomikisht është e izoluar. Një çmim të lartë për një situatë të tillë nuk janë duke e paguar politikanët apo udhëheqësit e Kosovës, por bizneset dhe qytetarët e saj të cilët atakohen në mënyrë të drejtpërdrejtë”, është thënë në reagimin e këtij institucioni.
OEK-u ka shtuar se qytetarët kanë filluar të zbehin besimin në ardhmëri.
“Qëllim parësor e kanë gjetjen e mundësive për të migruar jashtë. Ky realitet i motivon edhe më tepër kundërshtarët e pavarësisë dhe shtetformimit të Republikës së Kosovës që të hulumtojnë dhe të gjejnë mundësi që Kosovën ta anashkalojnë në projektet e tyre strategjike afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata”, është thënë në reagimin e OEK-ut.