OEK-u kërkon të ndihmohen kompanitë që kujdesën për mirëmbajtjen e ambientit
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka takuar kompanitë anëtare të Asociacionit “PAMKOS”, që mbledh brenda vetes kompanitë që kujdesen për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe ambientit.
OEK-u nëpërmjet një njoftimi për medie ka theksuar se këto kompani kanë qenë jashtëzakonisht të angazhuara në mirëmbajtjen e pastërtisë dhe ambientit, pandërprerë, gjatë tërë periudhës të pandemisë, me angazhim dhe përgjegjësi të shtuara.
“Këto kompani po ballafaqohen me krizë të thellë financiare, pasi që pandemia dhe mungesa e komunikimit me konsumatorët, si pasojë e pandemisë, ka reduktuar drastikisht arkëtimet e pagesave për shërbimet që i ofrojnë”.
“Qeverisja qendrore dhe ajo lokale duhet t’i përkrahë financiarisht këto kompani, për pjesën e pagave dhe shpenzimet tjera të operimit, deri në stabilizimin e gjendjes të tyre afariste, në të kundërtën rrezikojmë të kanosemi edhe me ndonjë katastrofë ekologjike, si pasojë e problemeve operuese të këtyre kompanive”
“Gjithashtu, punëtorët e palodhshëm të këtyre kompanive dhe të rrezikuar tej mase nga pandemia, rrezikojnë të mbesin pa të hyrat bazike, të cilat edhe ashtu janë shumë në vlerë shumë të vogël”, ka njoftuar OEK-u.