OEK-u ndan mirënjohje për ndërmarrjen “Vali Ranch”
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka ndarë mirënjohje për ndërmarrjen “Vali Ranch”, gjegjësisht për pronarin Fehmi Fetahu, për kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, promovimin e vlerave të ndërmarrësisë vendore, promovimin e investimeve të diasporës si dhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës në përgjithësi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se nuk mund të ketë zhvillim ekonomik të vendit pa involvimin e diasporës.
“Kjo njohje i jepet njërit prej biznesmenëve më të suksesshëm në Kosovë që jeton dhe vepron në Zvicër. Si mund të kemi zhvillim ekonomik pa kontributin e diasporës. Për diasporën të bëjmë më tepër sesa të pyesim se çka bën diaspora për Kosovën. Është z. Fehmi me zonjën e tij Rita që me mund dhe me punë të palodhshme bën investime në Kosovë, duke krijuar kompaninë ‘Vali Ranch’ e cila ka dhënë kontribut të pakontestueshëm social. Ky njeri ka qenë i palodhshëm në promovimin e vlerave të Kosovës dhe kombit”, ka thënë Gërxhaliu, duke shtuar se atë më të voglën që ka bërë Oda Ekonomike e Kosovës për Fetahun është kjo mirënjohje.
G
Gërxhaliu ka theksuar se kjo mirënjohje le të jetë mesazh ndaj diasporës që Oda Ekonomike e Kosovës është me diasporën.
Ndërsa Fehmi Fetahu, pronar i ndërmarrjes “Vali Ranch” ka thënë se është nder i madh që OEK-u vlerëson punën e diasporës dhe investimet që po bëhen në Kosovë.
/Epoka e re/