OEK-u reagon për përkrahje të dyshimtë institucionale
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me anë të një komunikate për medie, ka specifikuar se ky institucion do të përkrahte çdo përkrahje të sektorit privat, në rritje të prodhimit, promovim të eksportit, gjetje të partneriteteve të reja, por në asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojmë përkrahjen e grupeve joformale dhe individëve të cilat kanë probleme me ligjin.
“Ne besojmë fuqishëm që partneriteti dhe dialogu me përfaqësuesit e biznesit e forcon këtë angazhim, por në të njëjtën kohë e shprehim shqetësimin e thellë me partneritetet e dyshimta të Qeverisë së Republikës së Kosovës me shoqata dhe organizata ‘private’ dhe ‘familjare’ të biznesit që funksionojnë pa asnjë llogaridhënie dhe në fakt përfaqësojnë grupe të interesit që adresojnë vetëm çështje individuale, por asnjëherë të biznesit si tërësi”, thuhet në një komunikatë për media.
Sipas kësaj komunikate, për më shumë dhe më keq ky partneritet i dyshimtë rezulton me dhënien e të drejtës, përmes një memorandumi gjatë fushatës zgjedhore për të përfituar edhe mbi 50 mijë euro të parasë publike, pa asnjë procedurë dhe pa asnjë transparencë kinse në mbështetje të prodhimeve vendore. “Dikujt kjo mund t’i duket vlerë e vogël, por ky avaz po zgjat tash më shumë se një dekadë dhe nuk ka krijuar asnjë efekt pozitiv për sektorin privat, por vetëm ka mundësuar mbijetesën e organizatave fantome, jo transparente dhe shkelësve të ligjit”, është thënë në komunikatën e OEK, duke u shtuar se në vitin kur po shënojmë 55 vjetorin e funksionimit të Odes Ekonomike të Kosovës me përfaqësim të rreth 16,000 anëtarëve, afër më se 40 shoqata të ndryshme, me mbi 100 memorandume të bashkëpunimit me Oda homologe kudo në botë dhe e anëtarësuar në mënyrë të barabartë me të gjitha Odat Ekonomike Rajonale, Evropiane dhe më gjerë, në “Eurochambres”, , ICC, Parlamentin Evropian për Ndërmarrësi etj, Qeveria na anashkalon pothuajse komplet nga partneriteti për zhvillim ekonomik, këtë institucion kredibil dhe transparent.
“ Oda Ekonomike e Kosovës do të përkrahte çdo përkrahje të sektorit privat, në rritje të prodhimit, promovim të eksportit, gjetje të partneriteteve të reja, por në asnjë rrethanë nuk mund të arsyetojmë përkrahjen e grupeve joformale dhe individëve të cilat kanë probleme me ligjin dhe të cilat aktivitetet e vetme i kanë “ndotjet akustike” dhe “ndotjet e ambientit”, në qendrat e rëndësishme të vendit”, thuhet në komunikatë.