OEK-u shënoi 20-vjetorin e rifunksionalizimit, kritikohen politikat ekonomike
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), shënoi me një ceremoni të veçantë të premten 20-vjetorin e rifunksionalizimit.
Kjo ceremoni nisi më një minutë heshtje për të gjithë ata që kanë kontribuar në OEK dhe që tashmë nuk jetojnë më.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, falënderoi të gjithë ata që para 20 vitesh punuan shumë që Oda të kthehet dinjitetshëm dhe të shndërrohet në një institucion serioz dhe i besueshëm. “Secili institucion në këtë vend në këto 20 vite e ka dhënë kontributin e vet që ky vend të jetë më mirë, por edhe ne besojmë që Oda Ekonomike e Kosovës ka arrit me gjithë bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata kanë punuar dhe punojnë që të japin një kontribut qoftë edhe simbolik për zhvillimin e këtij vendi. Duke dhënë një kontribut simbolik për zhvillimin e këtij vendi të ndihmojnë edhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë Rukiqi.
Kryetari i parë i pasluftës së Odës Ekonomike të Kosovës, Ismail Kastrati, ka kujtuar ditët e para të qershorit 1999 kur morën drejtimin e OEK dhe filluan punën.
Ai ka deklaruar se fillimisht kishin evidentuar dëmet që kishte pësuar Kosova gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke paraqitur gjendjen ekonomike të kohës dhe më pas krijimin e urave të bashkëpunimit mes bizneseve kosovare dhe atyre të rajonit.
Ish-kryetari i OEK-ut Ismail Kastrati, u ndal edhe në situatën aktuale ekonomike në vend. Ai shprehi kritik ndaj politikave ekonomike dhe ka fajësuar fenomenet negative si korrupsioni e nepotizmi për mosardhjen investitorëve të mëdhenj të jashtëm.
“Kosova edhe ma tutje mbetet vend i pazhvilluar me halle të mëdha ekonomike dhe pikërisht nga shkaku se në Kosovë nuk po udhëhiqet një politikë e mirëfilltë ekonomike me një strategji afatmesme apo afatgjatë të zhvillimit ndërkaq në mungesë të sistemit juridik apo funksionimit të drejtësisë, të korrupsionit, krimit ekonomik, klientelizmit, nepotizmit etj., ambienti biznesor nuk është i favorshëm për të tërhequr investimet e jashtme edhe nga diaspora jonë e pasur”, deklaroi Kastrati.
Kastrati më tutje ka thënë se mesatarisht rritja e GDP në këto 20 vite në Kosovë ka qenë 4.8% që është më e vogël se rritja në kaq vite në vendet e pazhvilluara që është 5.3% e që do të thotë se Kosova nuk e ka zënë as hapin e zhvillimit të shteteve të pazhvilluara.
Sipas tij, GDP rritet kryesisht prej investimeve publike dhe konsumi, konsumi i drejtpërdrejt apo në mënyrë të tërthorte që ushqehet nga remitencat e diasporës.
Në fund të kësaj ceremonie, për kontribut në Odën Ekonomike të Kosovës, u nderuan me mirënjohje disa personalitete.