OEK-u shqetësohet me mosdefinimin e qartë të perspektivës evropiane për Kosovën
Komuniteti i biznesit, përfaqësuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), ka shprehur zhgënjimin e thellë me dokumentin e fundit të publikuar nga Komisioni Evropian, përmes të cilit definohet strategjia e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht raportet e ardhshme në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
“Përderisa ka një përcaktim të qartë të relacioneve dhe anëtarësimit të mundshëm për pesë vende të Ballkanit Perëndimor, në rastin e Kosovës, perspektiva evropiane mbetet në nivel të status quos pothuajse të njëjtë më nivelin e vitit 2004, kur në Samitin e Selanikut është përcaktuar ofrimi i ‘perspektivës evropiane’ për vendet e Ballkanit Perëndimor. Që nga Samiti i Selanikut, vendet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë avancuar dukshëm në rrugën e anëtarësimit në BE, ndërsa me Kosovën ka vetëm vazhdim të ‘eksperimenteve frazeologjike’, nga vokabulari i burokratëve evropianë”, është thënë në reagimin e OEK-ut.
Oda Ekonomike e Kosovës ka vlerësuar se nga aspekti i ndikimeve të mundshme në ekonominë e vendit, për të cilin angazhohet edhe OEK-u si institucion, strategjia e zgjerimit e BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, si një dokument që do të ndikojë edhe në orientimin e investimeve të huaja në rajon, do të ndikojë negativisht në tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë.
“Me një perspektivë evropiane të paqartë, askush nga investitorët e huaj nuk do të gjejë arsye të investojë në Kosovë, kur në të njëjtin rajon gjeografik ka vende të cilat në vitin 2025 presin të bëhen anëtare të BE-së. Për më shumë, për herë të parë një dokument strategjik dhe zyrtar i BE-së, i referohet kapjes së strukturave të rëndësishme shtetërore, nga politikanë dhe grupe të interesit, në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky mund të duket vetëm një formulim më shumë, por në fakt, kjo do të jetë sfida kryesore për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të këtyre vendeve, veçanërisht Kosovën, me probleme të theksuara të sundimit të ligjit dhe dukurive negative”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OEK-ut.
OEK-u u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të bëjnë një kthesë për të marrë kahje pozitive në adresimin e problemeve dhe prioriteteve të theksuara në strategjinë për zgjerim të BE-së.
Po ashtu, OEK-u ka potencuar që të merren parasysh edhe propozimet e këtij institucioni dhe kërkesat shumë specifike të sektorit privat për zhvillim ekonomik, luftim të ekonomisë joformale, dekriminalizim të strukturave të rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha reformave substanciale në edukim.