Ofensiva në Rafah çështje orësh!
Ofensiva shkatërruese e Izraelit në Rafah është më afër se kurrë. E ndërsa Shtetet e Bashkaura po prisnin një përgjigje pozitive nga Hamasi për sa i përket realizimit të marrëveshjes për lirimin e pengjeve, organizata militante e ka hedhur poshtë propozimin duke mbajtur një qëndrim negativ për planin e Washingtonit. Lajmin e kanë bërë të ditur përfaqësues të lartë të Hamasit për mediat lokale, citon New-York Times.
“Qëndrimi për dokumentin aktual të negociatave është negative. Kjo nuk do të thotë se negociatat janë ndalur. Edhe nëse grupi nuk i pranon propozimet aktuale izraelite pa modifikim, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë negociatat”, tha Osama Hamdan, Përfaqësues i Hamasit.
Sakaq, administrata e presidentit amerikan Joe Biden po përballet me presion të fortë nga demokratët për të ndikuar tek Izraeli në mënyrë që ky i fundit të mos nisë një pushtim të plotë të Rafahut. 57 e shtatë nga 212 demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve nënshkruan një letër duke i bërë thirrje administratës të marrë çdo masë të mundshme për të bindur qeverinë e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nga një sulm i gjithanshëm në qytetin afër kufirit me Egjiptin.
Mbështetja e Biden për Izraelin në luftën e tij kundër Hamasit është shfaqur si një përgjegjësi e rëndësishme politike për presidentin, veçanërisht midis demokratëve të rinj. Ajo nxiti një valë protestash pro-palestineze në universitetet amerikane.
Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken tha gjatë vizitës në Jerusalem se ende nuk kishte parë një plan për ofensivën e premtuar të Izraelit në Rafah që do të mbronte civilët, duke përsëritur se Uashingtoni nuk mund ta mbështeste një sulm të tillë.