“Oferta” e pazakontë që siguroi të drejtat për kryeveprën e Orwellit
Nga: Dalya Alberge / The Telegraph
Një botues amerikan kishte fituar të drejtat për romanin më të famshëm të George Orwellit, Nineteen Eighty-Four [1984], përmes një oferte të papritur: një palë të këpucëve me madhësinë 47, për autorin, gjë që u zbulua në një letër të pabotuar më parë.
Romancieri po mundohej ta përfundonte paralajmërimin e tij distopian kundër totalitarizmit. Me koncepte si Vëllai i Madh dhe Policia e Mendimit, të cilat duken gjithnjë e më të rëndësishme sot, ai e shkroi një pasazh prekës: “Nëse doni një fotografi të së ardhmes, imagjinoni një çizme të stampuar në fytyrën e një njeriu – përgjithmonë”.
Por, në një letër me dy faqe të prillit 1948, duket se këpucët ishin preokupimi i tij kryesor, pasi racionimi i pasluftës në Britani e kishte vështirësuar gjetjen e tyre në përmasat e tij.
Orwelli ishte i lodhur nga tuberkulozi, kur letrën – nga shtrati i tij në spital – ia dërgoi Robert Girouxit, redaktorit dhe botuesit të njohur në ShBA, duke i thënë: “Përveç mungesës së kuponëve, nuk mund të merrja asgjë në madhësinë time [47!] këtu”.
Orwelli i tha atij se i kishte kërkuar botuesit të tij anglez Fredric Warburg – themeluesi i Secker & Warburg, i cili gjithashtu botoi Fermën e Kafshëve të Orwellit më 1945 – t’ia blinte këpucët kur ai e viziton Amerikën.
Një palë kishin arritur, por ato ishin dhuratë nga shtëpia botuese Harcourt, Brace and Company, ku Giroux ishte redaktor. Dhurata me sa duket kishte ndihmuar në sigurimin e marrëveshjes së botimit. Menaxheri i Orwellit ia shiti të drejtat amerikane asaj shtëpie që atë e botoi në qershor 1949, kur u botua edhe në Angli nga Secker & Warburg.
Giroux, i cili ishte gjithashtu redaktori amerikan i TS Eliotit, e botoi librin përkundër rezervave e eprorit, pasi për gruan e tij disa pjesë të romanit ishin të pakëndshme.
Orwelli në atë letër shkruante se emrin e Girouxit e kishte marrë nga Warburgu dhe se po i shkruante duke dashur ta falënderojë personin e duhur për “mirësinë e madhe”: “Janë këpucë të shkëlqyera dhe do të jeni të lumtur kur dëgjoni se më përshtaten, ndonëse me muaj kam qenë i lidhur në shtrat dhe ende nuk i kam përdorur”.
Shëndeti i dobët e kishte detyruar Orwellin të largohej nga shtëpia e tij në ishullin Jura dhe në nëntor 1947 u shtrua në Spitalin Hairmyres [në Lanarkshir] që trajtonte problemet e mushkërive.
Në letrën e dërguar prej andej, Orwell tha se ishte “keq i sëmurë”: “Më vjen keq të them se vuaj nga tuberkulozi dhe se kam qenë i sëmurë që nga nëntori i kaluar – në fakt, që nga fillimi i vitit 1947”.
Por, ai gjithashtu vë në dukje se “trajtimi duket se po shkon mirë” dhe se ai shpreson të largohet nga spitali “gjatë verës”, me qëllimin që vazhdojë punën për “librin që shkruaja kur u sëmura”.
Shtoi: “Sigurisht, nuk mund të bëj asgjë serioze në këtë moment”.
Ai libër quhej Nineteen Eighty-Four, i cili do të bëhej një nga romanet më domethënës të shekullit të kaluar.
Në korrik 1948, Orwelli kishte lënë spitalin dhe kishte rifilluar punën për të. Në nëntor 1948, e kishte mbaruar librin, duke e radhitur vetë. Do të jetë romani i tij i artë. Punoi ndërmjet periudhave në spital, me tuberkulozin nga i cili vdiq në vitin 1950.
Letra vjen nga familja Giroux dhe çmimi i tij i shitjes është 17 500 funte.
Sammy Jay, specialisti i lartë i letërsisë në kompaninë Peter Harrington, ka thënë: “Udhëtoj shumë për të kërkuar për këto lloje të thesareve letrare. Por, nuk ndodh shpesh të bëni një zbulim që është kontribut i ri për studimin, biografinë ose historinë. Është vërtet emocionuese”.
Edhe ai ka madhësinë 47 dhe është veçanërisht i prekur nga fakti se një shkrimtar që sot lavdërohet si “superyll global”, kishte luftuar për të gjetur këpucë kur ishte në gjendje kaq të mjerë me shëndetin dhe financat.
DJ Taylor, biografi i Orwell-it, ka thënë: “Letrat e reja të Orwellit janë po aq të rralla sa dhëmbët e pulës, kështu është gjetje e vërtetë”. /Telegrafi/