Oferta me bollëk nga klubet e mëdha evropiane, Alonso: Qëndroj në Leverkusen
Xabi Alonso e konfirmoi në një konferencë për media sot që ai do të vazhdojë të jetë trajner i Bayer Leverkusenit sezonin e ardhshëm, pavarësisht interesimit serioz nga Liverpooli dhe Bayern Munichu.
Liverpooli dhe Bayerni do të mbesin pa trajnerë në fund të këtij sezoni, pasi Jurgen Klopp dhe Thomas Tuchel kanë konfirmuar largimin e tyre, dhe që të dy gjigantët sytë i kishin të kthyer kah Alonso.
Por, trajneri spanjoll e konfirmoi sot që ai nuk po largohet nga Bayer Leverkuseni.
“Kemi shumë spekulime sa i përket të ardhmes sime. Doja ta përdorja pushimin e ndeshjeve të kombëtareve për të reflektuar dhe për të marrë një vendim. Javën e kaluar, kisha një takim të mirë dhe e kam informuar klubin për vendimin që të vazhdojë të jem trajner. Ky është vendi i duhur për mua që të zhvillohem si trajner. Jam trajner i ri dhe tani unë e ndjej se ky është vendi i duhur për mua. Lojtarët më kanë dhënë shumë arsye që të vazhdojë të besoj në skuadër. E ndjej se puna ime nuk ka përfunduar këtu”, tha Alonso.
“Ky ishte afati im. Më duhej të vendosja, dhe më pas ishte e rëndësishme që t’ua tregoja të gjithëve. Ju tregova lojtarëve këtë mëngjes në bisedën e ekipit. I jam falënderues Leverkusenit që ata besojnë në mua”, tha Alonso.