Ofertë joshëse nga Australia për Migjen Bashën
Vetëm pak ditë më parë u tërhoq nga Kombëtarja në moshën 32- vjeçare, por, me sa duket, vendimi që Migjen Basha mori ka qenë i studiuar mirë. Dje mediat greke kanë zbuluar se karriera e mesfushorit i cili luajti 30 ndeshje dhe shënoi 3 gola me fanellën kuqezi, do të vazhdojë në rang klubesh në një tjetër kontinent.
Sipas asaj që raporton “gazzetta.gr”, Basha do të vijojë karrierën në Australi, pasi prej javësh ka marrë një ofertë joshëse nga një klub elitar në vendin e largët. “Kontrata e Bashës me Arisin pritet të zgjidhet këto ditë. Mesfushori nuk u grumbullua në ndeshjen e fundit ndaj Panathinaikosit, duke konfirmuar se palët janë duke negociuar para kohe prishjen e marrëveshjes.
Tek Arisi i bëjnë planet pa Bashën, për më tepër që një propozim nga një ekip australian e ka shtyrë edhe më shumë divorcin e lojtarit me klubin selanikas. Me siguri Aris do të japë pëlqimin për prishjen e marrëveshjes me konsensus. Ditët e fundit agjenti i futbollistit është takuar me drejtorin e Arisit, Angelos Haristea, për të biseduar në lidhje me mundësinë e një ‘divorci’ mes palëve”, shkruhej dje në mediat greke për Bashën.
Tashmë mbetet të zyrtarizohet emri i skuadrës së re australiane, që mbahet sekret për momentin për efekt bisedimesh. Kujtojmë se Basha u bë pjesë e Arisit të Selanikut në verën e vitit të kaluar, duke luajtur 21 ndeshje në kampionatin grek. Gjatë këtij sezoni, kur janë luajtur tri javë në Superligën helene, mesfushori nuk është grumbulluar në asnjë takim, duke lënë të kuptohet se largimi është çështje orësh/panoramasport.al.