Oficerët e FSK-së shkëlqejnë në trajnimet ndërkombëtare në ShBA
Oficerët e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë arritur që me rezultate të larta të përfundojnë trajnimet ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), duke u shpërblyer me çmime “Student më i mirë ndërkombëtar” dhe “Distinguished Honor Graduate/Diplomatic Medal”.
“Nëntoger Betim Osmani ka përfunduar ‘Kursin Bazik për Oficer të MKAB’ ku ka treguar nivel të lartë të aftësive dhe përkushtimit në arritjen e suksesit gjë që e bëri të shpallet ‘Studenti më i mirë ndërkombëtar’, ndërsa nëntoger Florint Fetiu ka përfunduar me sukses trajnimin ‘Finance and Comptroller Basic Officer Leader Course’ dhe duke vlerësuar lart angazhimin dhe kontributin e tij në këtë fushë u shpërblye me çmimin ‘Distinguished Honor Graduate/Diplomatic Medal’”, ka njoftuar FSK-ja.
Sipas këtij njoftimi, FSK-ja vazhdon të kujdeset për zhvillimin e përkushtuar dhe përmirësimin e aftësive të personelit të saj nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar.
Suksesi i nëntogerëve Osmani dhe Fetiu sipas njoftimit të FSK-së, thekson nivelin dhe përgatitjen e lartë të pjesëtarëve të FSK-së dhe gjithashtu përforcon imazhin e kësaj force në skenën ndërkombëtare.