Ofrohen ndihma për familjet e ndërtesës që u përfshi nga zjarri në Stantërg
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe ajo për Integrime Evropiane dhe Mbrojtje Sociale në Mitrovicë kanë marrë të gjitha masat për t’ju dalë në ndihmë banorëve të ndërtesës që u përfshi nga zjarri në rrethana të panjohura në rrugën e Kristaleve në Stantërg.
Në atë ndërtesë të vjetër që ishte pronë e Minierës me Flotacion “Trepça” në Stantërg po banonin disa familje me gjendje të rëndë sociale.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Nehat Bahtiri, ka thënë se ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit të zjarrit, por që Ekipi i zjarrfikësve të komunës ka intervenuar shumë shpejt dhe nuk ka lejuar që zjarri të zgjerohet.
“Ne jemi përkujdes për ofrimin e ndihmës emergjente për familjen e dëmtuar më së shumti, por edhe për familjet tjera në nevojë. Do të ndërmarrim të gjitha masat që familjet e ndërtesës të ndihen të sigurta”, ka thënë Bahtiri.
Ndërsa drejtoresha e Drejtorisë për Integrime Evropiane, Nazan Kërveshi, ka theksuar se ajo ka organizuar ofrimin e ndihmave për familjet e dëmtuara nga zjarri në këtë ndërtesë.
“Kemi ofruar pako me ndihma ushqimore për të gjitha familjet, ndërsa që për familjen e dëmtuar më së shumti, do të sigurojmë të gjitha ndihmat e nevojshme”, është shprehur Kërveshi.
Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, në këtë incident zjarri lëndime të lehta trupore kanë pësuar tre persona, të cilët janë trajtuar nga mjeku.
/Epoka e re/