Punë praktike me mundësi punësimi për 100 nxënës të diplomuar
Njëqind (100) nxënës të cilët kanë diplomuar në shkollat profesionale në Komunën e Prishtinës do të kenë mundësi për punë praktike.
Kjo është bërë e mundur pasi drejtori për Planifikim Strategjik dhe Zhvillim të Qëndrueshëm në komunën e Prishtinës, Genc Bashota bashkë me udhëheqësin e Qendrës për Këshillim në Karrierë, Ridvan Islami kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë “Meridian Group” (“Meridian Express”, “Meridian Corporation” dhe “Buka”), përfaqësuar nga drejtori i Burimeve Njerëzore dhe Administratës, Abdylkerim Ratkoceri.
Periudha kohore e marrëveshjes është prej datës 15 mars 2018 deri më 31 mars 2021.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që përmes bashkëpunimit me sektorin privat të krijohet mundësia për nxënësit e shkollave të mesme profesionale për aplikimin e njohurive të tyre teorike në një ambient pune dhe njëkohësisht t’iu ofrohet mundësia e fitimit të përvojës, e testimit dhe rekrutimit të fuqisë së re punëtore.