Oh, Nexhë!

10 shkurt 2020 | 16:19

Elife Podvorica

…dëgjova prapa shpinës sime një ofshamë të thellë që doli nga kraharori i një mikes së Nexhës, miqësia e së cilës me te, ishte e thellë si vet ofshama e saj në këtë çast, ku e rënduar nga një buqetë e madhe lulesh të freskëta po bënte lamtumirën e fundit mikes së saj këtu në Hollin e Teatrit Kombëtar në Prishtinë!
Kush ishte kjo përpos Shpresa Berishës, e cila Nexhën e kishte pasur jo vetëm mike vitesh të tëra, por edhe kolege të skenës për shumë vite nëpër skenat e ndryshme shqiptare, ballkanike e evropiane! I kishte bashkuar kënga! Kënga artistike me vlerat më të larta autoktone shqiptare!

…“Mbaj në mendje e në shpirt një moment i cili Nexhmijen e ruan me dashurinë më të ngrohët në zemrën time dhe kur dua të udhëtoj nëpër vitet e rinisë sime, e kujtoj me shumë mall e dashuri! Ishin ato vite të arta të karrierës sime, në të cilat pata fatin që Nexhën ta takoja në skenë!-ktheu shikimin Shpresa nga unë dhe vazhdoi rrëfimin sikur të ishte një bisedë e lënë diku përgjysmë ndër vite!

Image preview
– Nexha nuk bënte komplimente, ishte e rreptë në kritikat e saja si këngëtare !Por, unë në një moment kur po dilja nga skena dukej që ia kisha rrëmbyer zemrën me interpretimin tim dhe ende pa u shkëputur mirë nga skena dhe nga duartrokitjet frenetike në sallë, ajo mi kapi të dy duart dhe më tha” “Zemër, kështu duhet të këndohet”! Isha shumë e re, vetëm 17 vjeçe dhe të merrja lëvdata të tilla nga ylli i skenës, ishte tejet emocionuese për mua!
Ishte viti 1979 dhe kjo ngjarje ishte në Tiranë me ç’rast unë këndova këngën e “Lidhjes së Prizrenit” dhe publiku në sallë me duartrokitjet e tyre më kthyen disa herë në skenë!
Por, gëzimin më të madh e përjetova nga ato fjalë të sinqerta të Nexhës që mi tha dhe i ruaj si relikte të arta në memorien time!Ishte shumë motivuese për mua që ajo të ndante një mendim të tillë profesional! Sepse, Nexha ishte një këngëtare me një disiplinë të lartë prej artisteje të kompletuar në çdo segment që arti i këndimit e kërkonte!

“Baresha” me të cilën u identifikua gjithë karriera e saj, jo vetëm që është një këngë popullore !Ajo është një Arie operistike në të cilën mplekset një thesar i tërë i vlerave artistike dhe motiveve të pasura shqiptare! Kjo këngë vuri në pah gjithë bukurinë e zërit të saj magjik, i cili ishte i begatshëm me ata tinguj profondo të një alti të thellë duke u ngjitur lartë si një gurgullim krojesh të pastërta në majat e tij më të larta e që i jepte sharmin e një sopranoje briliante!


Rexho Mulliqi e pat atë aftësi kompozicionale që të hynte në tërë at thesar vokali që Nexhmija e posedonte! Mahniteshim të gjithë ne të tjerët me prezantimin e saj skenik! Ndjehem krenare për këtë gjë shumë, sa herë i kujtoj edhe ato momente që unë e kisha fatin ti ndaja edhe në prapaskenë kur Nexha përgatitej të dilte para publikut dhe të ia thoshte këngës! Kishte çdoherë tremë dhe emocione të thella para daljes në skenë! Këndimi ynë atëherë ishte vetëm “live” dhe kjo kërkonte një përkushtim të jashtëzakonshëm! Sepse, kudo që shkonim, ne përfaqësonim një komb të tërë!

Image preview

Por, Nexha shndriste çdoherë!Sikur kishte tërë shkëlqimin e diellit të fshatit të saj Pagarushë! Sikur kishte me vete në zërin e saj gjithë cicërimën e zogjve dhe gurgullimën e krojeve të fshatit të saj!
Më beso-mu kthye Shpresa sikur të ishte kujtuar që ka një bashkëbiseduese para saj, se ashtu dukej edhe at ditë kur me bashkëshortin tim e quam deri në fshatin e saj të lindjes, edhe pse Nexha nuk ishte më e re si dikur me at bukuri magjepsëse! Mbi shpatullat e saj rëndonin vitet e pleqërisë! Por, pavarësisht tyre, at ditë ndjehej shumë e lumtur! Në fytyrën e saj, sikur dolën në pah gjithë ato tipare karakteristike të cilat i jepnin një sharmë unik figurës së saj! Dhe me at ndjesi malli e dashurie që pas një kohe të gjatë po i kthehej vendlindjes së saj, u kthye nga ne të dytë dhe na tha” O të dashurit e mi, faleminderit që më sollët sot këtu! Kështu më sillni edhe ditën kur unë do të jap frymën e fundit”! I tha këto fjalë duke na shikuar në drita të syrit dhe nëpër faqet e saja të vyshkura nga hija e pleqërisë, u rrokullisën dy pika lotësh!
..Po më thoshte Shpresa sot, një ditë pas varrimit të Nexhës në fshatin Pagarushë, në kortezhin e së cilës kishte qenë dhe ajo!

Po! Nexhmije Pagarusha “Bylbyli i Kosovës” dje u përcoll në botën e amshimit me nderimet më të larta shtetërore! Në lamtumirën e saj të fundit qenë prezent artist e intelektual nga të gjitha trojet shqiptare! Kryeministri i ri i Kosovës, z. Albin Kurti në fjalimin e tij, në mënyrë shkencore kishte përmbledhur të gjitha periudhat e jetës së saj si artiste duke filluar edhe në at periudhë kur Nexha në opusin e saj të begatshëm artistik, kishte të inqizuara Arie Antike nga kompozitor të Renesansës siç ishte G. Pergolesi. A. Scarlatti e të tjerë! Është ky një opus këngësh klasike që pak kush e di në Kosovë! Vetëm ata të cilët kanë pasur rastin të rrinë me Nexhmijen, ose ata të cilët kanë rrëmuar nëpër vitet e saja të kultivimit të saj si artiste! Këtë ndjesi na e dha sot kryeministri Kurti, i cili na rrëmbeu të gjithëve në sallë me at elokuencë fjalësh rreth figurës së saj!
Dhe Nexha shkoi, ashtu siç erdhi në këtë botë, për të lënë gjurmët e saja të përjetshme në sfondin më të ndritshëm shqiptar!
Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty e dashur!- Tha Shpresa në momentin kur Nexha e përcjell nga duartrokitjet lamtumirës të miqve e dashamirëve të saj të shumtë, u nis drejt rrugës së amshimit!
– A thua si do të ishte Kosova dhe arti shqiptar pa ekzistencën e Nexhmije Pagarushës?..është pyetje që aq shumë herë ia kam vu vetes në momente të caktuara!

Qoftë i përjetshëm kujtimi për ty znj. Nexhmije!

Image preview

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pronari i fabrikës “Meka” dhe njohësi i çështjeve ekomomike, Burim…