OHRI – QYTETI I NDRITUR ME HISTORI TË TJETËRSUAR

05 korrik 2020 | 23:10

Shtegtime nëpër Atdhe (LVII)

Shkruan: Berat Luzha-

Ohri është njëri nga qytetet më të mëdha, më të vjetra e më të vizituara në Republikën e Maqedonisë, por edhe nga qytetet me identitet të theksuar historik dhe turistik. Ohri është i vendosur në brigjet verilinddore të Liqenit të Ohrit, kurse prapa e ka malin e Galiçicës (2255 m), mal që ndanë dy liqenet, të Ohrit dhe të Prespës. Qyteti i Ohrit lidhet me rrugë të mira me Poradecin, Resnjën, Shkupin dhe Strugën e afërme. Nga Struga ka 15 km, nga Resnja 37, nga Poradeci 39, nga Shkupi 173 dhe nga Tirana 131 km. Ka lidhje të shkurtëra edhe me Shqipërinë e Greqinë. Sot Ohri ka aeroport me lidhje ndërkombëtare, kurse zhvillohet një komunikacion ujor, kryesisht për qëllime turistike, nëpër Liqenin e Ohrit.

Qyteti ka rreth 50 mijë banorë (viti 2012), nga të cilët 80 për qind janë maqedonas dhe vetëm 7 për qind apo 3600 – shqiptarë. Në qytet ka mbetur vetëm një lagje, në Pazarin e Vjetër, ku ende flitet shqip. Maqedonasit i përkasin fesë ortodokse, shqiptarët dhe turqit janë të fesë myslimane. Atëherë, bëhet pyetja: – Ku mbetën shqiptarët ortodoksë që dikur përbënin shumicën e popullsisë së qytetit? Dihet se treva e Ohrit dhe ajo e Shën Naumit kanë qenë të populluara kryesisht me shqiptarë ortodoks. Vet qyteti i Ohrit ka strukturë arkitektonike të ngjashme me qytetet shqiptare, Beratin, Gjirokastrën, Krujën etj. Madje, të katër këto qytete kanë si mburojë kështjellat e lashta ilire. Edit Durham ka shënuar që qyteti i Ohrit, në vitin 1904, “ishte një qytet mysliman”, d.m.th. qytet shqiptar.

Me emrin Lyhnida, Ohri është themeluar nga fisi ilir i enkelejve qysh në parahistori, para 2400 vjetëve. Nga viti 148 p.e.r. ka rënë nën Perandorinë Romake. Qyteti u zhvillua në Perandorinë Romake, sepse gjendej në rrugën e vjetër dhe më të rëndësishme romake në Ballkan, Via Egnatia. Gjatë mesjetës së hershme, në vitin 867, qytetin e pushtuan bullgarët, të cilët e shpallën kryeqytet të perandorisë së tyre dhe qendër kulturore bullgare. Në vitin 886 misionarët e dërguar nga oborri mbretëror bullgar, Klimenti dhe Naumi, hapën shkollën glagolike letrare të Ohrit, ku mësohej gjuha e vjetër sllave.

Pas vdekjes së Samuilit, në vitin 1014, kështjella u pushtua nga mbreti bizantin, Basili II e në fund të shek. XI qyteti u sulmua nga normanët (Itali), pastaj nga bullgarët e më vonë nga Bizanti. Në shek. XIII – XIV qyteti i Ohrit është qeverisur nga Principata e Gropajve (Andrea Gropa, Pal Gropa, Zaharia Gropa). Në shek. XV u pushtua nga Perandoria Osmane. Nga Ohri kanë dalë figura të shquara të Rilindjes Kombëtare, si Dervish Hima, Hamdi Ohri, Zuhdi Ohri etj. Në vitin 1912 qytetin e pushtoi Serbia, të cilës, si shumë vise tjera shqiptare, ia njohu Konferenca e Ambasadorëve e mbajtur në Londër në vitin 1913. Në gusht të vitit 2001 në Ohër është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Qeverisë maqedonase.
Kur është ndërtuar për herë të parë kështjella, Lihnida ka qenë kryeqytet i fisit të enkelejve dhe të mbretit të parë ilir, Bardhylit (449 – 356 p.e.r.).

Kështjella e Ohrit, e quajtur sot si “Kështjella e Samuilit” është mbindërtuar mbi fortifikatën ilire të shek. IV p.e.r., kur cari bullgar, Samuili, kështjellën e shpalli seli të tij. Kjo kështjellë u përforëcua dhe u rindërtua edhe në shek. XIV, në kohën e sundimit të Andrea Gropës. Kjo kështjellë paraqet historinë e Ohrit që nga shek. IV p.e. r. e deri tash. Kur kështjellën e pushtuan osmanët, aty i vendosën repartet e tyre ushtarake. Secili pushtues që hyri në kështjellë bëri diçka për vete në të, ndërtoi, mbindërtoi, rindërtoi, rregulloi, meremetoi. Pamjen që ka sot kështjella e ka nga periudha osmane. Kështjella është edhe një qendër e rëndësishme arkeologjike, ku janë gjetur artefakte antike të vlerave të mëdha.

Ohri dikur ishte një qytet i rëndësishëm shqiptar. Gjurmët e qytetit gjenden në pjesën e vjetër të qytetit, aty ku banojnë shqiptarët, kurse në pjesët e reja banojnë vetëm maqedonasit, shumica të ardhur nga Maqedonia e Egjeut (egejcat). Historiani serb, Bogomil Hrabak, ka shkruar: “Jemi te Ohri dhe historia e tij shqiptare, por e stërvjedhur nga ardhacakët”.

Para një shekulli qyteti kishte 80 për qind popullsi shqiptare, ndërsa sot ka 80 për qind maqedonas dhe një pakicë prej rreth 6 – 7 për qind shqiptarë. Kjo gjendje ka ardhur si pasojë e shtypjes, harresës, shpërnguljes dhe, sidomos, të asimilimit. Shqiptarët e besimit ortodoks u bënë sllavomaqedonas kurse shqiptarët e fesë myslimane u regjistruan si turq apo janë shpërnguluar në Turqi e në vende tjera. Për shkak të paperspektivës dhe papunësisë, edhe sot vazhdon largimi i popullsisë së mbetur shqiptare. Në Ohër ka një shkollë fillore ku mësohet në gjuhën shqipe, por numri i nxënësve ka rënë shumë. Të gjitha regjimet sllave kanë bërë politikë asimiluese, veçanërisht ndaj popullsisë shqiptare të besimit ortodoks. Maqedonasit padrejtësisht e paraqesin mitin për Ohrin, si vendin e tyre të origjinës.

Qyteti në brigjet e Liqenit, me emrin e qytetit, e bën Ohrin një vend shumë tërheqës për turistë të ardhur nga tërë bota, por edhe për sportistë, shkencëtarë, politikaj, peshkatarë etj. Ohri konsiderohet si një “Jerusalem” i Ballkanit, për shkak të kishave të shumta që ka e thuhet se dikur moti kishte 365 kisha. Për shkak të bukurive natyrore dhe vlerave të mëdha kulturore e arkitektonike, qyteti dhe tërë rajoni i Ohrit është i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Duke qenë buzë liqenit, Ohri është qytet magjeps, qytet i njohur për plazhet e shumta, për qytetin e vjetër, për kishat e manastiret e vjetra mesjetare, për xhamitë osmane, për kalanë madhështore, për muzetë e shumta, për shtëpitë karakteristike, për kuzhinën e pasur. Një tjetër atraksion interesant është edhe lundrimi apo shëtia turistike nëpër liqen dhe turet për Strugë, Shën Naum e vende tjera. Pothuaj në çdo hap në rrugicat e qytetit ka dyqane dhe shitës ambulantë suveniresh. Turizmi është sektori kryesor ekonomik, por është e zhvilluar edhe industria e bujqësia.

Turizmit i japin ngjyrë edhe veprimtaritë e shumta e të pasura kulturore e artistke, siç janë organizimet e shumë festivaleve ndërkombëtare, të panaireve, etj. Me të mbërri në Ohër, të bie në sy një panoramë që të mahnitë me bukuritë e tij. Në qytet shihet një rregull, me rrugë e hapësira të pastra. Në qytet e rrethinë ka mëse 380 hotele dhe apartamente, që janë në disponim të turistëve. Një udhëtim dhe vizitë Ohrit të bukur të historisë dhe të tashmes, të Ohrit të një natyre të gjallë dhe të shumë kulturave, edhe të kulturës shqiptare, të bën kurreshtar dhe lë mbresa të thella e të paharruara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një lajm tronditës ka ardhur nga ShBA-ja, teksa ish-lojtari i…