OJQ-të reagojnë ndaj vendimit për emërimin e sekretarit të MTI-së
Grupi i organizatave joqeveritare ka reaguar ndaj vendimit të qeverisë së datës 29 janar për emërimin e e Burim Rrecajt, sekretarë i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Në këtë reagim thuhet se Rrecaj nuk i ka plotësuar kriteret për këtë pozitë. Por sipas vlerësimi të kompanisë britanike dhe komisioni vlerësues se kriteret i kishte plotësuar një kandidate tjetër.
“E vetmja kandidate e cila i ka plotësuar kriteret për t’u emëruar sekretare e përgjithshme ishte Gentiana Islamaj, e cila deri në fund të janarit 2018 ishte ushtruese e detyrës së sekretares së përgjithshme në MTI. Burim Rrecaj, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhet në reagim.
Në bazë tënenit 15, paragrafi 3, të Ligjit për shërbimin civil, MAP i dërgon qeverisë për përzgjedhjen e njërit nga 3 kandidatët më të mirë në bazë të vlerësimeve të komisionit vlerësues. Do të ishte e logjikshme që qeveria të përzgjedhë kandidat-in/en i cili ka marrë numrin më të madh të pikëve dhe jo të përzgjedhë kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret për atë pozitë.
Në këtë reagim thuhet se u shkel Ligji për Shërbimin Civil pasi që Burim Rrecaj ishte pjesë e listës zgjedhore të partisë Nisma për anëtar të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
“ Qeveria e Kosovës ka shkelur Ligjin për shërbimin civil, ka politizuar një ndër pozitat më të larta në shërbimin civil, ka sakrifikuar profesionalizmin dhe ka shkelur të drejtat në punësim, si dhe ka shkelur memorandumin e mirëkuptimit me Ambasadën Britanike për rekrutim të profesionistëve në pozita të larta shtetërore. Raste si këto dërgojnë sinjal jo të mirë tek të gjithë ata profesionistë që dëshirojnë të kontribuojnë në sektorin publik”, thuhet në reagim.