OKB flet për “pandeminë e ardhshme që nuk do të ketë vaksinë”
Në një kohë që bota vijon luftën me pandeminë e koronavirusit, njerëzimi duhet të përgatitet për kërcënime të reja. Organizata e Kombeve të Bashkuara paralajmëron se mungesa e ujit dhe thatësira do të ndikojnë tej mase për keq në planetin tonë në të ardhmen e afërt.
“Thatësira për pak do të jetë pandemia e radhës dhe për këtë nuk ka vaksinë dhe as ilaç”, tha për Reuters përfaqësuesi i OKB-së, për minimizimin e rrezikut të katastrofave natyrore (UNDRR), Mami Mizutori.
“Duhet të marrim masa urgjente që ta parandalojmë”, shtoi Mizutori, sipas të cilit, vetëm këtë vit, thatësira ka shkaktuar dëme që i kalojnë 1 miliard dollarë. Gjithashtu, nga mungesa e ujit kanë vuajtur 1,5 miliardë persona në periudhën 1998-2017. Mizutori theksoi se në vitet në vijim, ndryshimet klimaterike do të ndikojnë në mungesën e ujit në rreth 130 shtete të botës.