OKB i bën thirrje Rusisë të ndihmojë arritjen e paqes në Siri
Kombet e Bashkuara dhe diplomatët perëndimorë po i bëjnë thirrje Rusisë që të ndihmojë që ta bindë presidentin sirian, Bashar al-Assad që të lejojë OKB-në të ketë një rol në formimin e një komisioni për të hartuar një Kushtetutë të re për vendin e shkatërruar nga lufta.
I dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura ka thënë para Këshillit të Sigurimit se OKB po përballet me “sfidë serioze” në përpjekjet e saj për të arritur një marrëveshje të paqes në Siri, si rezultat i refuzimit të Qeverisë që të pranojë ndonjë rol të OKB-së në formimin e një komiteti kushtetues.
“Roli i OKB-së është rol lehtësues, që të lehtësojë dialogun ndër-sianë”, tha ambasadori sirian në OKB, Bashar Ja’afari, duke insistuar se anëtarët e komitetit kushtetues duhet të zgjidhen nga grupet e opozitës siriane dhe Qeveria siriane, në koordinim me qeveritë aleate, të Iranit dhe Sirisë.
De Mistura ka paraqitur një listë prej 50 anëtarëve të këtij komiteti. Damasku zyrtar kundërshton që në këtë komitet të marrin pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe anëtarët e tjerë të OKB-së edhe pse ka pranuar një listë prej 50 anëtarësh të prezantuar nga grupet opozitare siriane.
I dërguari i OKB-së për Sirinë ka thënë se në Stamboll më 27 tetor do të takohet me liderët e Rusisë, Francës, Gjermanisë dhe Turqisë për të biseduar për këtë sigutatë.
Edhe pse Uashingoni nuk do të marrë pjesë në këtë mbledhje, zëvendësambasadori amerikan në OKB, Johanthan Cohen ka ofruar mbështetje për përpjekjet e OKB-së për të krijuar këtë komitet. Ai ka shtuar se “pengimi për formimin e këtij komiteti është i papranueshëm”.
Ndërkaq, ambasadori francez, Francois Delattre ka thënë Rusia do të ketë rol kyç lidhur me formimin apo jo të këtij komiteti.
“Në mes të luftës dhe paqes në Risi, çelësi gjendet në shtetin e Tolstoy”, ka thënë ai, duke iu referuar novelistit rus Leo Tolstoy, autorit të librit Lufta dhe Paqja.
Në anën tjetër, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya i ka bërë thirrje liderëve perëndimorë të kenë durim, duke thënë se nuk ka arsye “që të jepen afate artificiale për formimin e komitetit kushtetues”. Por, ai ka shtuar se “ne nuk mund të veprojmë kundër vullnetit të Sirisë… Ne do të ndihmojmë Staffan de Misturan që të krijojë komitetin kushtetues, duke respektuar sovranitetin e Sirisë”.
Edhe shefi i ekipit negociator të opozitës siriane ka thënë se do të kërkojë ndihmën e Rusisë, që të arrihet një marrëveshje e paqes.
“Natyrisht, Rusia mund të bëjë më shumë që të lehtësojë dialogun”, ka thënë Nasr al-Hariri, para se të takohej me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Lufta në Siri ka lënë të vrarë mbi 300 mijë persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur.