OKB-ja: Arritjet në barazinë gjinore ndodhen në rrezik
25 vjet pas Platformës së Pekinit për të drejtat e grave, OKB publikon një raport për të verifikuar arritjet dhe dështimet. Nga të dhënat e 170 vendeve del se asnjë vend i botës nuk e ka arritur barazinë gjinore.
Sukseset e arritura drejt barazisë gjinore janë të pakta dhe në rrezik, thotë UN Women, organizmi i OKB që merret me barazinë gjinore dhe forcimin e gruas. Në një raport botuar tani, 25 vjet pas konferencës së Pekinit. UN Women ka mbledhur të dhënat nga 170 vende, dhe ka vënë re se pabarazia e madhe, kriza e klimës, konliktet dhe politikat përjashtuese janë duke vënë në rrezik progresin e arritur me mundim.
“Rishikimi i të drejtave të grave na tregoi se megjithë progresin e arritur asnjë vend i botës nuk e ka arritur barazinë gjinore,” thotë Phumzile Mlambo-Ngcuka, drejtore ekzekutive e UN Women. “75 për qind e parlamentarëve në botë janë burra, burrat mbajnë 73 për qind të posteve manaxheriale, 70 për qind e negociatorëve për klimën janë burra, dhe gati të gjithë negociatorët e paqes janë burra. Kjo botë nuk është gjithëpërfshirëse dhe e barabartë”, thotë shefja e UN Women. “Ne jemi reduktuar në 20-25 për qind. Sot, ne dalim dhe themi se duam të arrijmë 50 për qindshin, duke punuar së bashku”. Raporti tregon edhe për arritje si për shembull në fushën e shëndetit dhe të edukimit, sektorë në të cilët është investuar.
Kush ka paratë ka dhe pushtetin
Edhe Silke Staab, që është marrë me të dhënat statistikore për të nxjerrë përfundimet për raportin thotë se vërehen përparime, por shumë të ngadalta. Ajo tregon shembujt: “Është bërë pak në fuqizimin ekonomik dhe progresin ekonomik të grave. Në nivel global, hendeku gjinor në pjesëmarrjen në tregun e punës ka mbetur ai që ka qenë 20 vitet e fundit. Më pak se dy të tretat e grave janë forcë pune, ndërkohë që tek burrat kjo shifër është më e madhe se 90 për qind.
Gratë vazhdojnë të bëjnë punët e papaguara të shtëpisë dhe të kujdesen pa u paguar për familjen,” thotë Silke Staab.
Dhe vazhdon më tej: “Pa pasur akses në shërbimet për kujdesin e fëmijëve, shumë gra nuk kanë mundësi të jenë forcë aktive pune kur bëhen nëna. Rezultatet kanë treguar se hendeku gjinor në varfëri është i madh në kohën e rritjes së fëmijëve. Gratë në moshën 25 deri 34 vjeçare janë më në rrezik të bien në varfëri se sa burrat”, thotë studiuesja nga Nju Jorku.
Dhuna njësoj
“Një në pesë gra është përballur me dhunë nga partneri në 12 muajt e fundit,” thotë Silke Staab. Nga kontributet e mbledhura prej shumë vende është parë se janë nxjerrë ligjet kundër dhunës në familje, por zbatimi i ligjeve dhe detyrimi për t’i zbatuar mbetet i dobët. “Për shumë gra në botë aksesi në institucionet juridike mbetet i ulët,” thotë Silke Staab. Teknologjitë e reja janë duke sjellë forma të reja dhune, si për shembull cyber harassment (ngacmimet në internet), për të cilat mungojnë politikat për gjetjen e zgjidhjeve. Kjo përbën sidomos problem për gratë në politikë.
Me përjashtim të shëndetit amënor, të drejtat seksuale dhe riprodhuese të grave janë të parealizuara. Përqindja e grave me nevoja për planifikimin familjar ka mbetur e pandryshuar njëzet vitet e fundit. 119 milionë gra që duan të mos mbeten shtatzënë, nuk arrijnë synimin e tyre. Ato janë 119 milionë gra që nuk kanë kontroll mbi trupin e tyre. Shtatzënia në moshë minorene ka rënë, megjithatë vazhdon të mbetet problem sidomos për vajzat e varfra në Amerikën Latine dhe Afrikën Subsahariane. 23 vjet pas Pekinit, gratë kanë ende shumë sfida përpara./DW/