OKB-ja bën thirrje për mbrojtje të refugjatëve nga Venezuela
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) u kanë bërë thirrje shteteve të mos i dëbojnë refugjatët nga Venezuela duke thënë se ata meritojnë mbrojtje.
Rreth 3.7 milionë njerëz kanë ikur nga Venezuela pasi ekonomia pothuajse është shkatërruar tërësisht duke shkaktuar uri si dhe protesta anti-qeveritare të cilat kanë sjellë valë të dhunës dhe vdekjeve.
Prej 3 mijë deri në 5 mijë banorë të Venezuelës largohet gjatë një dite nga vendi, ka theksuar Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).
“UNHCR-ja vlerëson se shumica e atyre që largohen nga vendi kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare të refugjatëve”, ka thënë në një konferencë për medie zëdhënësja e UNHCR-së, Liz Throssell.
UNHCR-ja ka vënë në dukje se vitin e kaluar kishte pasur disa deportime të refugjatëve nga ishujt e Karaibeve, duke përfshirë edhe nga Trinidadi dhe Tobag, raporton “Rel”.
Vetëm 460 000 venezuelanë kishin kërkuar azil zyrtar deri në fund të vitit 2018, kryesisht në Peru, Shtetet e Bashkuara, Brazil dhe Spanjë, ndërsa të tjerë kanë lejeqëndrime në vende si Kolumbia, Kili dhe Ekuador.
Dhjetëra vende anembanë botës përfshirë Shtetet e Bashkuara, e kanë njohur kreun e opozitës në Venezuelë, Juan Guaidon si president të përkohshëm, duke thënë se presidenti i kontestuar, Nikolas Maduro, ka manipuluar zgjedhjet në vitit 2018 dhe po sillet si një diktator.
Por, Guaido nuk ka qenë në gjendje të heqë Maduron nga pushteti, i cili ende ka mbështetjen e ushtrisë si dhe vendeve si Rusia dhe Kuba.