OKB-ja dhe BE-ja kundër synimeve të Izraelit në dëm të Palestinës

21 maj 2020 | 14:46

Synimi i Izraelit për të aneksuar territore palestineze vijon të kundërshtohet nga komuniteti ndërkombëtar.

OKB-ja kërkon vazhdimin e negociatave ndërsa BE-ja po bën plane si ta ndalë synimin e kryeministrit Benjamin Netanjahu.

Komuniteti ndërkombëtar i kundërshton planet e Izraelit për të aneksuar pjesë të rajonit të Bregut Perëndimor pa mirëkuptimin e Palestinës.

Sipas një plani të koordinuar me Uashingtonin, Izraeli synon që duke nisur nga muaji korrik mund të shtrijë sovranitetin e vet në disa vendbanime të Cisjordanisë ku jetojnë rreth 400 mijë anëtarë të komunitetit hebre.

Ato konsiderohen ilegale sipas ligjit ndërkombëtar dhe ndodhen më së shumti në territorin palestinez.

Diplomati i Kombeve të Bashkuara, Nikolai Mladenov, thotë se aneksimi i njëanshëm do i mbyllte dyert negociatave dhe përpjekjeve fqinjësore për paqe.

“Izraeli duhet të heqë dorë nga kërcënimi për aneksim ndërsa lidershipi palestinez duhet të riangazhohet me pjesëtarët e kuartetit. Secili të bëjë të vetën,” deklaroi të mërkurën Mladenov, duke i ftuar palët në tryeza të reja me SHBA-në, Rusinë, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.

Edhe Franca bëri të ditur të mërkurën se nuk pajtohet me qëndrimin e Izraelit për aneksimin e pjesshëm.

Shtetet anëtare po mendojnë si ta parandalojnë këtë lëvizje.

“Do të ishte jashtëzakonisht i dëmshëm dhe për ne, një shkelje serioze pushtimi me forcë i këtij apo atij territori. Nga ana tjetër, do të vihej në pikëpyetje edhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve sipas parimit të dy shteteve,” theksoi Ministria e Jashtme franceze.

Plani i presidentit Donald Trump për Bregun Perëndimor u prezantua në muajin janar.

 

Ai parashikon njohjen e Palestinës si shtet, por favorizon territorialisht Izraelin që sipas propozimit do të marrë ndër të tjera Luginën e Jordanit dhe do ketë për kryeqytet të ri Jerusalemin.

Në bazë të programit qeverisës, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, mund ta çojë për votim në parlament planin e aneksimit, nga 1 korriku i këtij viti. /Ora News.tv/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marian Dema, ka…