OKB-ja dhe Ukraina bëjnë thirrje për zgjatjen e marrëveshjes së grurit me Rusinë

09 mars 2023 | 12:30

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, bënë thirrje të mërkurën për zgjatjen e marrëveshjes me Moskën, e cila lejon Kievin të eksportojë drithëra përmes porteve të Detit të Zi gjatë pushtimit rus.

Presidenti ukrainas, Zelensky, tha pas bisedimeve me Guterresin në Kiev se marrëveshja për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi ishte e nevojshme për botën, ndërsa shefi i OKB-së nënvizoi rëndësinë e saj për sigurinë globale të ushqimit dhe çmimet e ushqimit në përgjithësi.

Marrëveshja 120-ditore, e ndërmjetësuar fillimisht nga OKB-ja dhe Turqia në korrikun e vitit të kaluar dhe e zgjatur në nëntor, do të rinovohet më 18 mars nëse asnjë palë nuk kundërshton. “Dua të nënvizoj rëndësinë kritike të kalimit të Iniciativës së Detit të Zi më 18 mars dhe të punës për të krijuar kushtet për të mundësuar përdorimin sa më të madh të infrastrukturës së eksportit përmes Detit të Zi në përputhje me objektivat e nismës”, ka thënë Guterres në një konferencë për medie.

Rusia, e cila hoqi një bllokadë në tre porte ukrainase të Detit të Zi sipas marrëveshjes, ka sinjalizuar se pengesat ndaj eksporteve të saj bujqësore duhet të hiqen përpara se të lejojë që marrëveshja të vazhdojë.

Ukraina dhe Rusia janë të dyja furnizuesit kryesorë globalë të drithërave dhe plehrave.

Fuqitë perëndimore e kanë goditur Rusinë me sanksione të ashpra si përgjigje ndaj pushtimit të saj në Ukrainën fqinje më shumë se një vit më parë.

Ndërsa eksportet ruse të ushqimit dhe plehrave nuk u nënshtrohen sanksioneve, Moska thotë se kufizimet në pagesat e saj në industritë e logjistikës janë një “pengesë” për dërgesa të tilla.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Julian Nagelsmann ka thënë se Bayern Munchen e mposhti…