OKB-ja: Dhjetë milionë ukrainas janë larguar nga shtëpitë e tyre

20 mars 2022 | 14:48

Dhjetë milionë persona – mbi çereku i popullsisë – tashmë janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë për shkak të luftës “shkatërruese” të Rusisë, ka thënë shefi i agjencisë për refugjatë në Kombet e Bashkuara.

“Në mesin e përgjegjësive të atyre që nxisin luftëra kudo në botë, është dhimbja e shkaktuar ndaj civilëve të cilët detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Lufta në Ukrainë është aq shkatërruese sa që dhjetë milionë persona janë zhvendosur brenda vendit, apo si refugjatë jashtë Ukrainës”, ka thënë shefi i UNHCR-së, Filippo Grandi.

UNHCR-ja ka njoftuar se 3 milionë e 389 mijë e 44 ukrainas janë larguar nga shteti që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Ndërkaq, 60,352 persona vetëm të shtunën janë larguar nga vendi.

Afër 90 për qind e atyre që kanë ikur janë gra dhe fëmijë. Burrat ukrainas nga mosha 18 deri në 60 vjeç nuk mund të largohen nga shteti, pas mobilizimit të përgjithshëm ushtarak.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatë, mbi 1.5 milion e refugjatëve janë fëmijë, teksa kjo agjenci paralajmëroi se rreziku nga trafikimi me qenie njerëzore është “real”.

Mbi gjashtë milionë persona besohet se janë të zhvendosur brenda Ukrainës.

Para konfliktit, Ukraina kishte një popullsi prej 37 milionë banorësh, pa llogaritur popullsinë në Gadishullin e aneksuar të Krimesë, dhe në dy rajonet lindore separatiste.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Juventusi e ka ndarë mendjen deri ku arrin me ofertën…