OKB-ja kërkon 4 miliardë dollarë për t’i ndihmuar Jemenit
Shefi i Çështjeve Humanitare në Kombet e Bashkuara, Mark Lowock, ka thënë se është duke kërkuar 4 miliardë dollarë për t’ju ofruar ndihmë rreth 20 milionë banorëve të Jemenit, apo rreth 70 për qind të popullatës së dëmtuar nga lufta.
Lowcock po ashtu ka thënë se për herë të parë 250 000 banorë të Jemenit janë duke u përballur me “katastrofë”.
Ai u ka thënë gazetarëve se në këtë shtet ekziston një situatë humanitare “shumë dramatike dhe çorientuese”.
Ai ka përmendur shifrën e 4 milionë dollarëve, si shumë që OKB-ja do të kërkojë në një konferencë të donatorëve, e cila është përkrahur nga Suedia, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara dhe pritet të mbahet më 26 shkurt në Gjenevë.
Ai po ashtu ka thënë se shpreson se do të ketë rezultat pozitiv në negociatat për paqe të sponsorizuara nga OKB-ja mes palëve që janë në konflikt në Jemen.
Qeveria e Jemenit, e mbështetur nga Arabia Saudite dhe aleatët e saj ushtarakë, ka luftuar me rebelët huthi të mbështetur nga Irani për gati katër vjet.
Civilët kanë përjetuar më së rëndi këtë konflikt që ka lënë të vdekur 10 000 persona dhe ka krijuar atë që Kombet e Bashkuara e kanë cilësuar si krizën më të rëndë humanitare.