OKB-ja kritikon Zvicrën për ndalimin e mbulesës së fytyrës
Vota në Zvicër për të ndaluar mbulesën e fytyrës, duke përfshirë edhe mbulesat për tërë trupin apo për tërë fytyrën, të cilat përdoren nga gratë myslimane, shkel të drejtat e njeriut, ka thënë Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut (OHCHR).
“Zvicra është duke iu bashkuar një numri të vogël të shteteve, ku diskriminimi aktiv ndaj grave myslimane është i sanksionuar me ligj”, ka thënë zëdhënësja e OHCHR-së Ravina Shamdasani.
“Dhe kjo është tejet fatkeqe”, ka thënë ajo.
Rreth 51.2 për qind e popullit zviceran, ka votuar të dielën në të mirë të ndalesës, e cila shënjestron gratë që vendosin burka dhe nikab, transmeton dpa.
Ndonëse në letër ndalesa vlen për të gjitha llojet e mbulesave në përgjithësi, kjo votë është shtyrë përpara nga grupet e ekstremit të djathtë dhe ato kundër Islamit, të cilat nuk e kanë fshehur asnjëherë qëndrimin e tyre për këtë çështje.
Qeveria federale, në anën tjetër, ka bërë fushatë kundër ndalesës.
Ndalesa të tilla vlejnë edhe në Austri, Holandë dhe Francë.
“Gratë nuk duhet të detyrohen të mbulojnë fytyrat e tyre”, ka thënë Shamdasani.
“Në të njëjtën kohë, ndalesa ligjore për mbulesa të fytyrës do t’ua kufizojë atyre të drejtën për të praktikuar fenë apo besimet e tyre dhe kjo ka ndikim të madh në të drejtat e njeriut”.
Sipas ligjit, liri të tilla mund të kufizohen vetëm për të mbrojtur sigurinë publike, shëndetin, moralin, apo të drejtat themelore të të tjerëve./rel/