OKB-ja: Negociatat për paqe në Ukrainë e kanë humbur momentumin
Një zyrtar i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) ka thënë se negociatat që synonin zbatimin e marrëveshjeve të Minskut 2015 dhe dhënien fund të konfliktit në Ukrainën lindore, kanë humbur “momentumin”.
Ndihmëssekretari i përgjithshëm i OKB-së, Miroslav Jenca i ka bërë këto komente në një fjalim para Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 12 shkurt, në një ngjarje që shënonte përvjetorin e katërt të marrëveshjeve.
Jenca ka thënë se negociatat “duket se kanë humbur vrullin” dhe se as Rusia as Ukraina nuk duket të jenë të gatshme të bien dakord mbi hapat kyç përpara.
Konflikti shpërtheu më 2014 në kohën kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës. Supozohet se janë vrarë më shumë se 10 000 njerëz dhe 1 milion të tjerë janë zhvendosur.
Në konflikt janë të përfshira trupat qeveritare të Ukrainës dhe aleatët, kundër luftëtarëve, për të cilët zyrtarët perëndimorë thonë se janë të financuar dhe pajisur nga njësitë ushtarake ruse.
Nënshkruar përafërsisht një vit pas shpërthimit të luftimeve në shkallë të plotë, marrëveshjet e Minskit parashtruan një plan politik, duke përfshirë zgjedhjet, që do t’i jepnin fund konfliktit.
Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëri-tjetrin për moszbatim të marrëveshjes.
Shtetet e Bashkuara nuk ishin të përfshira drejtpërdrejt në negociatat e Minskut, por ka pasur një të dërguar të posaçëm, Kurt Volker, i cili ka shkuar në llogarinë e vet në “Twitter” se Rusia ka vazhduar ta shkelte marrëveshjen.
“Në katër vitet, Rusia ka vazhduar të shkelë marrëveshjet e Minskut çdo ditë. Është koha për Paqe për Ukrainën” ka thënë Volkeri.
Ndërkohë, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, ka akuzuar Perëndimin për përdorimin e Ukrainës si një peng në një lojë gjeografike të shahut.
“Për ta ky vend është një peng i thjeshtë në konfrontimin gjeopolitik me Rusinë”, ka thënë ai.
Pesë anëtarët e tanishëm të Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët duke akuzuar Rusinë për vazhdimin e konfliktit.
“Ne i bëjmë thirrje Rusisë që menjëherë të ndalojë nxitjen e konfliktit duke siguruar mbështetje financiare dhe ushtarake për grupet e armatosura”, është thënë në këtë deklaratë.