OKB-ja nuk arrin të dënojë sulmin në Libi
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara nuk arriti të dënojë sulmin ajror në një qendër migrantësh në Libi, ku mbetën të vrarë së paku 44 njerëz.
Gjatë një takimi dyorësh me dyer të mbyllura, Britania shpërndau deklaratën që do të dënonte sulmin, për të cilin u fajësuan forcat e komandantit Khalifa Haftar, dhe do të bënte thirrje për armëpushim në Libi.
Por, agjencitë e lajmeve cituan diplomatët amerikanë duke thënë se ata nuk kanë mundur ta nënshkruajnë deklaratën pa miratimin e Uashingtonit.
Rrjedhimisht, bisedimet përfunduan pa lëshimin e deklaratës.
Kombet e Bashkuara thanë se së paku 44 njerëz janë vrarë në qendrën e ndalimit të migrantëve në lindje të Tripolit, më 2 korrik.
Një zëdhënës i Haftarit mohoi se forcat e tij kanë qenë të përfshira në sulm dhe fajësoi Qeverinë në Tripoli për të.
Së paku 600 migrantë, përfshirë gra dhe fëmijë, mbaheshin në qendrën Tajoura, e cila ishte shënjestër e sulmit.
Së paku 6,000 migrantë nga Eritrea, Etiopia, Somalia, Sudani dhe vende të tjera janë të ndaluar në kampet në Libi, të cilat udhëhiqen nga milicitë që akuzohen për tortura dhe abuzime të tjera.
Tensionet janë rritur në Libi prejse forcat e komandantit Haftar, i cili kontrollon lindjen e këtij vendi, kanë nisur një ofensivë në muajin prill për të marrë kontrollin e Tripolit, i cili kontrollohet nga një qeveri e mbështetur ndërkombëtarisht.
Rusia, ndërkaq, ka shprehur mbështetje për Haftarin, ashtu si edhe Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Libia është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i saj veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011./rel/