OKB-ja paralajmëron për rritje të urisë në nivelin global
Një raport i Kombeve të Bashkuara ka treguar se është rritur numri i personave që përballen me uri në tri vjetët e fundit.
Sipas analizës së OKB-së, 821 milionë persona janë kequshqyer në vitin 2017, që i bie një në nëntë persona.
Sipas autorëve të analizës, klima ekstreme mund të fajësohet pjesërisht për këtë situatë, të cilët po ashtu kanë bërë thirrje për marrjen e hapave urgjentë në aspektin global.
Përveç tjerash, në raport theksohet se problemeve me ushqim është duke u kontribuuar edhe obeziteti, pasi një në tetë të rritur, apo më shumë se 672 milionë persona konsiderohen obezë, raporton “Rel”.
Autorët kanë vërejtur se ndryshimet ekstreme klimatike, përfshirë vërshimet, nxehtësinë, stuhitë dhe thatësia janë dyfishuar prej fillimit të viteve 1990.
Sipas raportit, problemet me uri kanë qenë më të shprehura në shtetet ku pjesa më e madhe e popullsisë varet nga sektori i bujqësisë.
Autorët kanë bërë thirrje për hapa më të koordinuar në mënyrë që shtetet që kanë më shumë mundësi të preken nga fatkeqësitë natyrore, t’i tejkalojnë më lehtë të njëjtat.