OKB-ja: Rreth 30 mijë militantë të ISIS-it gjenden në Siri dhe Irak
Pavarësisht mposhtjes së grupit militant, Shteti Islamik (ISIS) në Irak dhe pjesën më të madhe të Sirisë, i njëjti ka rreth 20, 000 deri në 30 000 militantë të këto dy shtete, është thënë në një raport të Kombeve të Bashkuara.
Në raportin e publikuar më 13 gusht është theksuar se shifrat kanë ardhur nga qeveritë dhe se ato nuk janë identifikuar.
Të dhënat e raportit tregojnë për një numër të konsiderueshëm të luftëtarëve të huaj.
Raporti, i hartuar nga ekspertë që kanë vëzhguar sanksionet kundër ISIS-it dhe Al-Kaidës tregon se militantët janë ndarë në mënyrë të barabartë në Irak dhe Siri.
Ekspertët kanë përmendur se shumica e luftëtarëve kyçë janë duke u zhvendosur në Afganistan, ku konsiderohet se grupi ekstremist ka rreth 4,000 luftëtarë dhe se numri është në rritje.
Grupi militant, i drejtuar nga Abu Bakr al-Baghdadi ka edhe një varg mbështetësish në Libi, Azi Juglindore dhe Afrikën Perëndimore.
Grupi militant, Shteti Islamik pati pushtuar pjesë të mëdha të territorit në Siri dhe Irak më 2014, mirëpo deri në janar të 2018-ës ka mbetur me vetëm zona të vogla të drejtuara në disa pjesë të Sirisë.
Sipas raportit të OKB-së, ky grup, “ende mund të kryejë sulme brenda territorit të Sirisë. Ndonëse nuk kontrollon asnjë territor plotësisht në Irak, ky grup ende është aktiv”.
Al-Kaida në anën tjetër, është përmendur si grup global “që vazhdon të ketë fleksibilitet” me bashkëpunëtorët dhe aleatët, madje edhe më shumë sesa ISIS-i, në disa vende përfshirë Somalinë, Jemenin, Afrikën Jugore dhe rajonin Sahel në Afrikë. (Rel)