OKB-ja: Së paku 7 mijë persona janë arrestuar në protestat në Iran
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) kanë bërë me dije të premten se së paku 7 000 njerëz raportohet të jenë arrestuar në Iran, gjatë protestave masive të muajit të kaluar.
Zyra për të Drejta të Njeriut e OKB-së, ka theksuar se ka siguruar “video të verifikuara” që i tregojnë forcat e sigurisë duke qëlluar me armë në drejtim të protestuesve.
Zyra e OKB-së ka shtuar se ka informacione që sugjerojnë për së paku 208 njerëz të vrarë.
“Ka gjithashtu raporte, që Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut deri më tani nuk ka mundur t’i verifikojë, por që sugjerojnë se numri i të vrarëve është dyfish më i lartë”, është thënë në deklaratën e kësaj zyre të lëshuar të premten.
Komisionarja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, ka thënë se videot e siguruara nga zyra e saj tregojnë se “kundër protestuesve është përdorur dhunë e rëndë”.
Protestat në Iran kanë nisur më 15 nëntor, pas një rritjeje të papritur të çmimeve të naftës, dhe kanë zgjatur disa ditë.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë të enjten se mbi 1 000 njerëz mund të jenë vrarë gjatë trazirave atje.
Autoritetet iraniane nuk kanë dalë me ndonjë numër zyrtar të njerëzve të vdekur.