OKB-ja shqetësohet për retorikën konfrontuese midis ShBA-së dhe Iranit
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka shprehur shqetësim për retorikën gjithnjë e më konfrontuese midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Iranit dhe bënë thirrje për qetësi.
Në një nga postimet e tij në llogarinë e vet në “Twitter”, presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar se “nëse Irani do luftë, ajo do të jetë fundi zyrtar i Iranit”.
Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, i ka hedhur poshtë, siç ka thënë provokimet e Trumpit për “gjenocid” dhe e ka paralajmëruar presidentin amerikan që të mos e kërcënojë Iranin.
“Ne jemi të shqetësuar për retorikën e tensionuar”, ka thënë zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, dhe bëri thirrje për qetësi.
Vërejtjet e tij vijnë në kohën e shqetësimeve për një konflikt të mundshëm ushtarak midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Uashingtoni ka urdhëruar forcimin e pranisë ushtarake të ShBA-së në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, duke u thirrur në “kërcënime të menjëhershme” nga Irani.
Teherani i ka hedhur poshtë akuzat e ShBA-së dhe ka theksuar se Uashingtoni po i përshkallëzon tensionet.
Të dyja palët kanë thënë se nuk duan luftë.
Tensionet mes tyre janë rritur dukshëm javëve të fundit, pasi ShBA-ja ka forcuar sanksionet kundër Iranit, ndërsa ky i fundit ka kërcënuar se do të pasurojë uranium më pranë niveleve të armëve bërthamore.