OKB-ja: Sulmi në Libi arrin nivelin e krimit të luftës
Një sulm ajror, i cili la të vrarë mbi 44 emigrantë në një qendër ndalimi jashtë kryeqytetit të Libisë, Tripoli, “arrin nivelin e krimit të luftës”, ka thënë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Mbi 130 njerëz të tjerë janë plagosur në sulmin, për të cilin janë fajësuar forcat e gjeneralit Khalifa Haftar.
Trupat e tij e akuzojnë Qeverinë në Tripoli për sulmin.
Shumica e viktimave besohet se janë afrikanë sub-saharianë, që kanë bërë përpjekje të arrijnë në Evropë nga Libia, përmes detit.
Mijëra emigrantë janë duke u mbajtur në qendrat e paraburgimit në Libi.
Kreu i Misionit të OKB-së në Libi, Ghassan Salama, ka shprehur tronditjen e tij nga sulmi teksa ka vizituar qendrën e paraburgimit në Tajoura, shkruan “Rel”.
Tajoura strehon rreth 600 emigrantë.
Në vitet e fundit, Libia ka qenë një rrugë kryesore për emigrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë.
Ky vend është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i tij veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.