OKB-ja thotë se po shtohen dëshmitë për krimet e luftës së Rusisë në Ukrainë
Kombet e Bashkuara thanë se veprimet ruse në Ukrainë, që kanë përfshirë ekzekutim të civilëve, po shtojnë krimet e luftës.
“Forcat e armatosura ruse po granatojnë dhe bombardojnë zonat e populluara, pa dallim, duke vrarë civilë dhe shkatërruar spital, shkolla dhe infrastrukturë tjetër civile, veprime që mund të përbëjnë krime të luftës”, ka thënë Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Zyrës së Komisionarit të Lartë për të Drejta të Njeriut (UNHCR).
Në qytetin e Buçës, afër Kievit, misioni i UNHCR-së ka dokumentuar se janë vrarë mbi 50 civilë, tha Shamdasani.
Varreza masive dhe qindra civilë të vrarë janë zbuluar në Buça dhe në qytete e tjera përreth Kievit, pasi forcat ruse janë tërhequr nga ajo zonë tri javë më parë.
Zyrtarët rusë kanë mohuar se ushtarët e tyre kanë vrarë civilë dhe kanë akuzuar Ukrainën se ka inskenuar këto mizori.
Shefja e UNHCR-së, Michelle Bachelet, ka thënë më 22 prill se “gjatë këtyre tetë javëve, që prej fillimit të luftës, ligji humanitar ndërkombëtar jo vetëm se është injoruar, por duket se është flakur tutje”.
Misioni i OKB-së po ashtu “ka dokumentuar atë që duket të jetë përdorim i armëve me efekte diskriminuese, duke shkaktuar viktima në mesin e civilëve dhe duke dëmtuar objektet civile nga forcat e armatosura ukrainase në lindje të vendit”, ka thënë ajo.
Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt e deri në mesnatën e 20 prillit, misioni i OKB-së ka dokumentuar dhe verifikuar vrasjen e 2 345 civilëve dhe 2 919 të plagosur, ka thënë ajo, raporton “Rel”.
“Ne e dimë se numri real është më i lartë, kur tmerret e shkaktuara në zonat ku ka luftime intensive, siç është Mariupoli, do të dalin në dritë”, ka thënë Bachelet.