OKB kërkon korridore të sigurta për civilët në Ukrainë

08 mars 2022 | 08:08

Shefi për çështje humanitare i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, i bëri thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të sigurojnë korridore të sigurta për civilët që ikin nga luftimet dhe për dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e armiqësive aktive.

OKB-ja dhe partnerët e saj kanë ofruar ushqime për qindra mijëra njerëz, por situata e sigurisë e ka bërë të vështirë arritjen në zona të caktuara.

Deklarata vjen pasi të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për pengimin e largimit të sigurt të civilëve.

Ambasadori i Ukrainës në OKB ka akuzuar Rusinë për bombardimin e korridoreve humanitare, duke i bllokuar civilët të iknin në Evropë dhe duke parandaluar dërgimin e ndihmave për shpëtim jetësh.

Por, ambasadori i Rusisë në OKB i ka mohuar akuzat, duke pretenduar – pa ndonjë argument – se Ukraina është ajo që po i pengon korridoret e sigurta për civilë.

Griffiths u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se zyra e tij ka dërguar tashmë një ekip në Moskë, me shpresën se do të arrijë te më të rrezikuarit në Ukrainë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria e Ukrainës doli me informacionet e fundit mbi pushtimin…