OKB përshëndet paqen koreane
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres përcolli shpresën se dy Koretë do të lëvizin tani me shpejtësi drejt implementimit të zotimeve të marra, duke theksuar sesi në mbarë botën, shumë njerëz u prekën nga pamjet e forta të dy liderëve, që flisnin së bashku për paqe dhe harmoni.
Liderë të shumtë botërorë e kanë përshëndetur takimin historik të udhëheqësve të dy Koreve, ku u njoftua vendosmëria për çarmatimin atomik të gadishullit e për firmosjen e një traktati paqeje, i cili do t’i japë fund zyrtarisht luftës mes dy vendeve.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres përcolli shpresën se dy Koretë do të lëvizin tani me shpejtësi drejt implementimit të zotimeve të marra, duke theksuar sesi në mbarë botën, shumë njerëz u prekën nga pamjet e forta të dy liderëve, që flisnin së bashku për paqe dhe harmoni.
Lufta koreane po merr fund shkroi në Twitter presidenti amerikan Donald Trump.
“Shtetet e Bashkuara dhe i gjithë populli i saj i madh duhet të jenë shumë krenarë për atë që po zhvillohet tani në Kore. Gjëra të mira po ndodhin, por vetëm koha do ta tregojë”, vazhdon mesazhi i shefit të Shtëpisë së Bardhë, që përgatitet për takimin e vet historik me udhëheqësin e vendit komunist.
Angela Merkel e përshëndeti takimin e Moon Jae In me pushtet-mbajtësin koreanoverior, Kim Jong Un, duke e vlerësuar atë si “hapin e parë që të shpresojmë në një vazhdimësi plot shpresa”.
Skepticizmi që rrethon ndryshimin e beftë të liderit komunist, nuk mungon, megjithatë shumë besojnë sot se ky mund të jetë vërtetë fundi i ndarjes. Kim dhe Moon u shprehën për denuklearizim dhe për t’i dhënë fund formalisht luftës.
Koreja e Jugut dhe e Veriut konfirmuan synimin e tyre që t’u japin fund akteve armiqësore në vend, në tokë dhe në ajër, kundër palës tjetër.
Familjet e ndara do të bashkohen sërish e duke nisur nga 1 maji do të hiqet dorë nga të gjitha veprimet armiqësore, duke përfshirë mesazhet me altoparlant në kufi dhe përhapjes së fletëvolanteve në zonen e çmilitarizuar (DMZ).