Olaf Scholz, kancelari gjerman më pak i përkrahur ndonjëherë
Anëtarët e partisë socialdemokrate gjermane, nuk kanë shumë për të festuar kur të mblidhen këtë fundjavë në Gjermani në kongresin e partisë së tyre në Berlin, i cili zgjat nga 8 deri më 10 dhjetor.
Sipas sondazhit të fundit “Trendi Gjerman” (Deutschlandtrend), i cili bëhet rregullisht për shërbimin publik gjerman ARD, partia SPD e kancelarit, Olaf Scholz, aktualisht mund të llogarisë vetëm në 14 për qind të votave. Kjo është dy për qind më pak se në nëntor, e kjo është vlera më e ulët që nga qershori 2021.
Partnerët në qeveri, të Gjelbrit, kanë aktualisht 15 për qind (+1), ndërsa liberalët (FDP) janë nën pragun e kërkuar për futje në Bundestag, me vetëm katër për qind (+/-0).
Sa i përket opozitës, partitë kristiandemokrate dhe kristiansociale, CDU dhe CSU, do të merrnin aktualisht 32 për qind (+2), që është vlera më e lartë që nga marsi 2021. Ndërsa në vendin e dytë është Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 21 për qind (-1). E majta nuk do të futej në Bundestag, sepse do të fitonte vetëm tre për qind (-2).
Rënia e Olaf Scholzit
Vetëm 17 për qind e votuesve janë aktualisht të kënaqur me punën e qeverisë federale gjermane, që është një rekord i ri për nga numri i vogël i mbështetjes. 82 për qind e të anketuarve shprehin kritika.
Kancelari Scholz është në shënjestër të kritikave në veçanti: vetëm 20 për qind e të anketuarve janë aktualisht të kënaqur me punën e Olaf Scholzit. Kjo është vlera më e ulët për kancelarin federal, që nga fillimi i sondazheve të këtilla të Deutschlandtrend, në vitin 1997.
Gati çdo i dyti (48 për qind, që është një minus prej 16 në krahasim me prillin e vitit 2022) beson se Olaf Scholz po vepron si duhet. Ndërsa vetëm një e katërta e shohin atë aktualisht si një drejtues të mirë krizash (23 për qind; -14). Vetëm 12 për qind mendojnë se Scholzi ka aftëri të mira për të komunikuar në mënyrë bindëse (-15). Më në fund vetëm 27 për qind aktualisht besojnë se ai është personi i duhur në postin e kancelarit ( që është një rënie prej -20 për qind krahasuar me vitin 2022).